Iuliano akuzoi për baste, Moxhi në kundërsulm: Kush largohet, thumbon gjithmonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2018 | 10:28

Iuliano akuzoi për baste, Moxhi në kundërsulm: Kush largohet, thumbon gjithmonë

Pavarësisht se Partizani është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit, këshilltari i presidentit Demi, Luçiano Moxhi, është shprehur se të kuqtë kanë bërë një prej ndeshjeve të tyre më të mira.

Në një deklaratë për mediat, ndërkohë që linte ambientet e stadiumit, Moxhi ka deklaruar: “Kjo ishte ndeshja më e mirë që ka bërë Partizani në këtë sezon dhe unë jam i sigurt kur them se kjo skuadër ka një grup lojtarësh të denjë për vendin e dytë. E tregoi sot (dje). E ritheksoj, ishte ndeshja më e mirë dhe ndoshta edhe unë u sjell pak fat. Javën e kaluar, isha unë dhe fituam 2- 1. Treguam shpirt gare në fushë. Sot gjithashtu fituam 2- 1, por mund të kishim shënuar edhe tre, jo dy dhe ta shihni që do ta mbyllim mirë sezonin”, ishin fjalët e italianit.

Moxhi

REAGIMI – I pyetur në lidhje me deklaratën e Iulianos, dje për mediat italiane në lidhje me aventurën e tij në Shqipëri, Moxhi fillimisht nuk ka dashur të reagojë, duke thënë se nuk e kishte lexuar atë që ish-trajneri ka thënë, por, pas shpjegimit që i është bërë, ai është shprehur: “Për sa i përket deklaratës së tij, unë nuk mund të them asgjë. Edhe për faktin se, sa herë që unë lexoj gazetat, e kam të vështirë t’i besoj. Ndoshta, ai do të ketë dashur të shprehë pak zhgënjim, sepse tashmë nuk është më pjesë e jona, por për faktin e basteve absolutisht jo.

Dhe, meqë ju gazetarët, madje edhe unë jam gazetar tashmë, por unë shkruaj atë që dëgjoj dhe shoh, keni maninë që t’i zmadhoni dhe ‘transformoni’ fjalët, për faktin se e dini mirë se polemika do t’ju nxjerrë shkrimin në faqe të parë, atëherë unë e përjashtoj kategorikisht që ai mund të ketë thënë diçka të tillë. Ai mund të ketë thënë se u zhgënjye nga shkarkimi dhe kjo është një temë tjetër…

Mund të ketë dashur të thotë që skuadra në periudhën e tij ka pasur rendimentin aktual dhe kjo është gjithashtu një çështje tjetër… Por e vërteta kush është: Është se gjithmonë, një person që largohet, ka gjithmonë diçka thumbuese për të thënë”, ka mbyllur Moxhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"