“Iu përgjigjëm siç duhet grushtit të marrë nga Milani”, Pirlo: Ndaj Interit duhen nerva të forta, ne nuk jemi dorëzuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 13:33

“Iu përgjigjëm siç duhet grushtit të marrë nga Milani”, Pirlo: Ndaj Interit duhen nerva të forta, ne nuk jemi dorëzuar

Pas fitores së rëndësishme kundër Sasuolos, Andrea Pirlo vazhdon të besojë te rikthimi në zonën Champions:

pirlo

“Nuk ishte e lehtë të reagoje pas grushtit që na dha Milani, por u treguam shumë të zotët. Juventusi është ende gjallë dhe do të vazhdojë të luftojë deri në sekondën e fundit të këtij kampionati, pasi situata mund të ndryshojë edhe në favorin tonë. Por, për të shpresuar këtë gjë, duhet të jemi ne të parët që të fitojmë dy ndeshjet e mbetura deri në fund”.

KAMPIONËT

Trajneri i Juventusit falënderon në mënyrë direkte edhe kampionët e skuadrës së tij, duke nisur nga veterani Bufon e më pas Ronaldon e Pirlon që i dhanë goditjen fatale kundërshtarit.

“Në momentet e vështirësisë janë gjithmonë kampionët ato që bëjnë diferencën, siç treguan mbrëmjen e djeshme Bufon, Ronaldo dhe Dibala. Ne kemi shumë të tillë në skuadër, ndonjëherë e kemi ndier më shumë se ç’duhet mungesën e tyre për arsye të ndryshme, herë të tjera kemi gabuar duke ua lënë të gjithë barrën e pikëve atyre. Por, në sfidën që na duhej me çdo kusht triumfi, këta të tre ishin ata që hodhën në tapet Sasuolon.

Pse nuk kam përdorur më shpesh strategjinë e kundërsulmit? Sepse nuk janë të gjitha skuadrat si Sasuolo… Kundër një ekipi që administron mirë topin, ndonjëherë është mirë të presësh dhe ta godasësh në kundërsulm. Por, sekreti për ta bërë këtë është të dish të rikuperosh sa më shumë topa dhe ne e bëmë këtë si në rastin e golit të parë të Rabiosë, por edhe gjatë pjesës së tjetër të ndeshjes.”, vazhdon Pirlo.

INTERI

Në fund, nuk kishte se si të mungonte pyetja për Interin: “E dimë që do të vijnë në Torino për të fituar, por ajo që më tremb më shumë është fakti se nuk do të jenë të detyruar të kërkojnë rezultatin e kjo i bën ata dyfish më të egër.

Prandaj, nëse kërkon të fitosh një ndeshje kaq të madhe, me një skuadër kaq të fortë, diferencën e bëjnë nervat. Nëse do të arrijmë që të jemi gjakftohtë dhe të tregojmë nerva të forta në fushë, besoj se mund të vazhdojmë të shpresojmë një vend në zonën Champions”, përfundoi trajneri bardhezi.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"