Iu larguan frikës së rënies, te Besa tani ëndërrojnë elitën. Bubeqi: Kujdes Maliqin, e kapim “play off”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2022 | 11:33

Iu larguan frikës së rënies, te Besa tani ëndërrojnë elitën. Bubeqi: Kujdes Maliqin, e kapim “play off”-in

Me 33 pikë të hipotekuara, Besa nuk ndihet më e kërcënuar. Tashmë objektivi afatshkurtër mbetet kapja e vendit të 6-të dhe rrjedhimisht… elita. Këtë synim e konfirmon edhe vetë Dorjan Bubeqi, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”. Ai e quan të arritshëm, por kërkon kujdes maksimal në 7 ndeshjet e mbetura. “Fitorja me Shkumbinin erdhi në momentin e duhur dhe solli njëfarë qetësie në ekip. Kjo u reflektua edhe në seancat stërvitore. Tashmë për pjesën e mbetur të sezonit, objektiv i arritshëm mbetet vendi i 6-të, që të çon në fazën ‘play off’. Kemi ende ndeshje përpara dhe shanset janë reale”, thotë fillimisht trajneri.

bubeqi besa

TRANSFERTA DHE DYSHIMET – Verdhezinjtë këtë fundjavë do të udhëtojnë drejt Korçës, ku i pret Maliqi. Besa është ndeshur me të gjitha ekipet dhe kundërshtarin e radhës e kanë marrë seriozisht. “Kemi luajtur me të gjitha ekipet dhe tashmë i njohim e na njohin. Kemi dominuar çdo kundërshtar që ka ardhur në Luz, por e thënë kjo pa diplomaci, më të vështirë e patëm me Maliqin. Kuptohet, ekipi mik u rreshtua prapa për të mos humbur, por na u desh shumë punë për ta mundur. Madje, habitem se si sot, Maliqi ndodhet në fund të tabelës.

Kisha pritur që ai grup që pashë të ishte më lart në klasifikim. Më kuptoni drejt, Besa aktualisht nuk e ka të domosdoshme fitoren në Maliq, por ju thashë një të vërtetë. Ndaj Shkumbinit u rikthyen nga dëmtimi sulmuesit Meçja, Hoxha e Dobjani dhe dihet efekti. Dy sulmuesit shënuan dhe Dobjani mbajti portën të paprekur. Një Besë e plotë është e aftë të mundë këdo. Po punojmë për Maliqin dhe vetëm mesfushori Hyseni u stërvit veçmas, por shpresoj që të rikuperohet dhe udhëtojë me ne. Gjatë këtyre dy ditëve stërvitore i kam folur ekipit të mos nënvleftësojë kundërshtarin, edhe pse ndodhet në fund. Ua kujtova sa vuajtëm për ta mundur në Luz. Në krahun tjetër hyjmë në fushë pa asnjë lloj presioni rezultati e kjo do të sjellë, besoj dhe pres një Besë më argëtuese. Si trajner gjykoj se janë të hapura të tria rezultatet. Ne sigurisht që do të futemi në fushë për ta fituar”, përfundoi trajneri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"