Italiani i Egnatias karikon rrogozhinasit: Nuk u trembemi “Demave” të Partizanit, marrim pikë në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 21:46

Italiani i Egnatias karikon rrogozhinasit: Nuk u trembemi “Demave” të Partizanit, marrim pikë në Elbasan

Nga sezoni 2020-‘21 italiani Françesko Vitobelo ka qenë në pozicionin e përgatitësit atletik, fillimisht te skuadra e Ballkanit në Kosovë në gjysmën e parë dhe për pjesën tjetër të po këtij sezoni te skuadra e Dinamos. Në sezonin 2021-’22, përgjatë tërë sezonit të kaluar, ka qenë pjesë e Egnatias, ku vijon punën edhe tani me shumë profesionalizëm.

Egnatia trajneret

Duke folur vetëm pak ditë para startit, konkretisht para ndeshjes së kësaj të shtune ndaj Partizanit në Elbasan, Vitobelo tha se ky kampionat pritet të jetë shumë i fortë. Madje ai parashikon më pak diferencë midis ekipeve, veçanërisht kjo do të duket në cilësitë e lojtarëve.

“Egnatia te kjo pjesë, pra përzgjedhja, ka bërë një merkato cilësore gjatë kësaj vere dhe thuajse për të gjitha pozicionet kemi lojtarët e duhur dhe funksionalë për të mos krijuar probleme në ecurinë e 36 javëve të kampionatit”, shprehet fillimisht ai.

BESIMPLOTË – Vitobelo duket optimist dhe mendon se ekipi do të paraqitet me shumë dinjitet dhe do të luftojë fort në përmbushjen e objektivave. Ajo që italiani ka merak është që askush mos ta gjykojë skuadrën tani në këtë moment nga ndeshjet e deritanishme miqësore, sepse janë eksperimentuar disa module loje edhe gjatë ndeshjeve në Maqedoninë e Veriut, edhe në takimet e tjera të luajtura në Shqipëri.

“Për kampionatin nuk diskutohet që me këtë kontigjent futbollistësh që kemi, të cilët kanë eksperiencën e duhur, pasi kanë luajtur në skuadra të forta e disa madje dhe në takime ndërkombëtare me klubet nga vijnë, janë një plus i madh për ne. Duket qartë se stafi është i shqetësuar vetëm për kohën pak të shkurtër që kemi pasur në dispozicion, sepse kampionati po nis më herët”, vazhdoi italiani.

PARTIZANI – E parashikoj një sfidë që përtej asaj që do të tregojë fusha, ka shumë rëndësi për ne edhe në aspektin psikologjik, shpjegon numri dy i pankinës së Egnatias, italiani Vitobelo. “Ne jemi gati, edhe pse Partizani është një emër i madh, përballë tyre as që diskutohet se do të shpalosim grintë dhe agresivitetet për t’u kthyer nga Elbasani me një rezultat pozitiv.

Egnatia Vitobelo

Vitin e kaluar në të dyja ndeshjet në transfertë me këtë skuadër kemi dalë barazim. Madje te ndeshja që u mbyll 2-2 dhe ku golin e pësuam në minutën e 96-të ne humbëm me Pedron një 11-metërsh, kur rezultati ishte 2-1 në favorin tonë.

Ajo që them me bindje të sigurt është se Egnatia është plotësisht gati nga pikëpamja fizike dhe psikologjike për të përballuar ndeshjen e parë të sezonit ndaj Partizanit, të cilin do ta respektojmë në fushë, por jo duke iu frikësuar kësaj skuadre”, shprehet Vitobelo. Italiani ka edhe një urim për skuadrën, ku ka hyrë në vitin e dytë të punës. “Fillim të mbarë dhe suksese futbollistëve, drejtuesve dhe tifozëve. Bashkë do të jemi më të fortë”, mbyll ai rrëfimin e dhënë dje posaçërisht për “Panorama Sport”.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"