Italianët rebelohen me UEFA-n, tri ekipet ndihen të vjedhura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 21:15

Italianët rebelohen me UEFA-n, tri ekipet ndihen të vjedhura

Tri humbje për tri skuadrat italiane të impenjuara në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve. Këto humbje kanë ardhur në mënyra të ndryshme dhe kanë shanse të ndryshme rikuperueshmërie për sfidat e ardhshme. Por, këto 3 ndeshje janë shënjuar edhe nga vendimet e arbitrave, të cilat kanë shqetësuar Atalantën, Juventusin dhe Lacion.

comboooooo-kpAH--1081x611@Gazzetta-Web_1081x611

Zikaltrit ankohen për kartonin e kuq të Frojlerit, bardhezinjtë për një penallti të mohuar të Ronaldos dhe bardhekaltrit për një penallti ndaj Milinkoviç-Saviçit. Gjithçka ka ndodhur një javë më parë, kur në transfertën e Portos, arbitri spanjoll Del Sero Grande nuk e vlerësoi si penallti ndërhyrjen ndaj Ronaldos. “Më duket penallti neto. Arbitri na tha se ishte fundi i ndeshjes dhe nuk ishte rasti për ta parë në VAR”, tha Pirlo i zhgënjyer.

Edhe Lacio ndihet e penalizuar, ashtu siç duket nga fjalët e Simone Inzagit pas humbjes 1-4 ndaj Bajernit. “Ajo që mund të them është që na u mohua një penallti kur ndeshja ishte 0-1”, tha Simone, teksa i referohej rastit kur Boateng pengon Milinkoviç-Saviçin, por as izraeliti Grinfeld dhe as VAR-i nuk e konsideruan si faull. Për të ardhur te ndeshja e Atalantës, e cila ndryshoi për 17 minuta. Frojler pengoi Mendinë përpara se të arrinte në zonë dhe arbitri Shtiler i tregoi kartonin e kuq. “Si mund të jetë karton i kuq ky moment? Ishte e tepërt. Arbitri shkatërroi ndeshjen”, tha Gasperini në fund. Por, çudia është se në asnjë nga rastet, arbitrat nuk thirren nga VAR-i për t’i riparë aksionet. Në Champions përdorimi i teknologjisë nuk është kaq i madh sa në Serinë A.

Mjafton të kujtojmë faktin se rasti i fundit i parë me VAR në fazën me eliminim direkt ka qenë në ndeshjen Barcelona-Napoli, në sezonin e kaluar. Në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale asnjë arbitër nuk i ka parë rastet në VAR. Kjo do të thotë se ka diçka që nuk shkon dhe italianët ndihen të penalizuar në këtë pikë. Nëse episodet do të ishin gjykuar ndryshe, sigurisht që skuadrat italiane do të kishin më shumë shanse për t’u kualifikuar dhe ndoshta rezultatet do të ishin krejt ndryshe nga këto aktualet. Ta mendosh që dizenjatori i arbitrave në UEFA është një italian, Roberto Rozeti…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"