Italianët “mbrojnë” gjykimin, mediat katalanase në revoltë/ Inter-Barça fut në sherr edhe mediat e të dyjave vendeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 22:09

Italianët “mbrojnë” gjykimin, mediat katalanase në revoltë/ Inter-Barça fut në sherr edhe mediat e të dyjave vendeve

Sikur të mos mjaftonin tonet dhe akuzat e ashpra në fushë dhe mes dy pankinave në “San Siro”, mungonte vetëm që tashmë edhe mediat e dy vendeve të viheshin kundër njëra-tjetrës. Katalanasja “Mundo Deportivo” ka vendosur që të hyjë me sparkatë pas ngjarjeve të ndodhur në duelin mes Interit dhe Barcelonës, duke thirrur për skandal dhe për arbitrim të njëanshëm. Madje, pamjet e gafave të arbitrit Vinçiç kanë zënë dje të gjithë ballinën e faqes “online”:

BARCA INTER

“VAR-i nuk pa një dorë të Dumfrisit në zonë, kur Fati ishte duke goditur me kokë në minutën e 92- të. Ky është pa dyshim gabimi më i rëndë i VAR-it në Ligën e Kampioneve. Imazhet flasin qartë dhe nuk ka asgjë që të justifikojë vendimin e marrë nga salla e VAR-it ku ishin arbitrat Pol van Boekel dhe Denis Hingler”.

SHERR MEDIATIK “SHTETËROR” – Por çfarë është më e rënda, “Mundo Deportivo” habitet me anën joprofesionale të mbajtur nga disa prej kolegëve dhe organeve mediatike më të rëndësishme në Itali, të cilat e kanë quajtur gjykimin e Vinçiçit perfekt, edhe pse pamjet flisnin qartë. “‘Gazzetta dello Sport’ ishte ajo disi më e drejta, ndonëse jo mjaftueshëm, e cila më shumë është bazuar në analizën ndaj lojës së Barcelonës:

‘Qajnë për vendimet arbitrare, por ndërkohë Barcelona tregon limite të rëndësishme në Europë, ku në dy transferta nuk ka shënuar ende asnjë gol. VAR-i i vë flakën ndeshjes, për një prekje TË MUNDSHME me dorë të Dumfrisit, që provon një protestë kuqeblu në minutat finale’, – shruante ‘Mundo Deportivo’, që më pas acarohet edhe me shumë me komentet e bëra nga “Corriere dello Sport”. – E titullonin ‘Moviola’, por çfarë është e frikshme për t’u pranuar është fraza ‘Gjithçka korrekte’, me të cilin mbyllin analizën finale të rasteve pikante të ndeshjes.

Mendojmë se diçka e tillë nuk ka nevojë as për përkthim, për njëanshmërinë joprofesionale të mendimit”, ishte sulmi i së përditshmes katalanase. Madje, ky burim për të turpëruar edhe më shumë disa nga komentet absurde pro Interit kishte cituar edhe ish-arbitrin, Luka Mareli, që vë në dyshim besueshmërinë e VAR-it: “Kur sheh gabime të tilla, të lind natyrshëm të pyesësh veten: Po e përmirëson apo po e përkeqëson VAR-i futbollin?

Kur imazhet e rastit të prekjes me dorë të Dumfrisit i ka e gjithë bota në sekondë në telefonin e tyre, si mund të mos i shohin dhe vlerësojnë drejtë arbitrat nga dhoma komode e VAR-it?! Ajo ishte një penallti e pastër që iu mohua Barcelonës përpara të gjithë botës. Edhe sikur UEFA të justifikohet se nuk e kishte pamjen e qartë, kjo gjë është e patolerueshme, pasi së fundmi po ndodhin disi shpesh episode që po vënë në dyshim besueshmërinë e gjykimit të arbitrave”. Dhe vetëm ky koment kënaqi dhe u pranua nga “Mundo”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"