Italia një “autoblindë”, çan edhe në Novergji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2014 | 22:09

Italia një “autoblindë”, çan edhe në Novergji

ItaliaTani të gjithë do thonë se 4 milionë eurot në sezon që fiton Antonio Konte janë më se të merituara. Ashtu si në debutimin absolut kundër Holandës, Kombëtarja italiane përsëritet duke ofruar të njëjtën performancë: fiton, shënon dy gola, shpërdoron për të zgjeruar golavarazin, vrapon si e çmendur në çdo cep të fushës, por sërish mban portën e saj të paprekur. Për t’i shtuar edhe një tjetër kompliment trajnerit të ri, me Antonio Konten në krye Italia theu edhe një mallkim 77-vjeçar në Norvegji, me fitoren e fundit në tokën nordike, i cili datonte që në vitin e largët 1937. E çfarë mund t’i kërkosh më shumë 45- vjeçarit leçez, i cili diti të ngrejë në këmbë brenda një jave një skuadër që pas Botërorit brazilian dukej një gërmadhë.
Zaza spektakolar – Madje, kjo gërmadhë u duk se nuk do kishte shans që të rindërtohej me emra si Simone Zaza… Por është pikërisht ky i fundit, një sulmues që nuk mendon për milionat si dikush tjetër, por një lojtar që kënaqet me qindarka krahasuar me Mario Balotelin, ai që është shndërruar papritur në liderin e kësaj Italie të rinovuar. 23-vjeçari shpërdoroi, e pranoi dhe kërkoi falje pas miqësores me Holandën për një rast flagrant të humbur, por në Norvegji iu deshën vetëm 16 minuta për të shlyer gabimin, pasi lëshon një të majtë të fortë në zonë, e cila tund rrjetën, pavarësisht një devijimi të një mbrojtësi kundërshtar. Zaza feston golin e parë me kombëtaren, Italia kryeson dhe vazhdon të sulmojë, shpërndan topa nga krahët, me Darmianin dhe De Shiljon që lëshojnë breshëri krosimesh në zonë, por në pjesën e parë vendësit e mbrojnë veten me disavantazhin minimal.
Bonuçi blindon – Në pjesën e dytë, të kaltrit janë edhe më agresivë, ku sërish me Zazan tentojnë dyfishimin, por bomberi i Sasuolos është i pafat. Gjithsesi, Konte ulëret dhe të tijtë binden. Trajneri kërkon më shumë punë nga krahët dhe ka të drejtë, sepse në të 62-n Paskual lëshon në zonë krosimin perfekt për kokën e Bonuçit, i cili dërgon shifrat në 2-0 dhe blindon tri pikët e para në këto kualifikuese Europiani. Ndeshja e mbyllur? Jo… Zaza është i uritur, aq sa i shkon dy herë pranë trefishimit të rezultatit, por në rastin e parë e ndal traversa, ndërsa pak sekonda më vonë mbrojtësi rival në vijën fatale. Konte duartroket, Konte beson te ky ekip që ofron soliditet, shpejtësi dhe intensitet loje, por mbi të gjitha, beson se me këtë ritëm që e ka nisur dhe me dy fitore kundër Azerbajxhanit dhe Maltës në sfidat e radhës, do presë shumë shpejt gjysmë bilete drejt “Francë 2016”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"