Italia fluturon në fushë, por di të ecë edhe mbi… ujë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 22:15

Italia fluturon në fushë, por di të ecë edhe mbi… ujë

Fitorja 3-0 ndaj Bosnjës ishte e 10-ta radhazi për Italinë, që vendosi një rekord të ri. “Na vjen mirë, sepse zgjaste prej 1938-ës”, komenton trajneri Mançini nga Venecia, ku “Axurrët” e tij kaluan një të shtunë duke u solidarizuar me komunitetin atje pas përmbytjeve më të rënda në 50 vitet e fundit. 

iTALIA

“Djemtë u treguan të zotë, por tani duhet të mendojmë për qershorin”, shtoi Manço. Në prag të finaleve, skuadra e ka krijuar fizionominë e saj: “Nuk mendoj për afrime të reja, sepse afatet janë të shkurtra dhe qershori është shumë pranë për të menduar për eksperimente”.

Nëse dikush, për shembull Baloteli, dotë dojë që të përfshihet në grup, duhet të tregojë se e meriton vendin: “Mario e di shumë mirë se duhet ta meritojë të rikthehet në kombëtare. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës (nesër në Palermo kundër Armenisë)”.

23 bileta – Biletat e Tonalit dhe Açerbit janë gati. Nëse grumbullimi për në “Euro 2020” do të niste sot, atëherë dy nga 23 fanellat e kaltra do të ishin të talentit breshan dhe  “gjyshit” lacial, të konfirmuar në fushën e vështirë boshnjake. Shumë situata mund të ndodhin deri në qershorin që mbetet gjithsesi larg, por në mungesë të faktorëve dëmtime, duket se janë vetëm tri dyshimet e Mançinit për të zgjidhur deri atëherë: portieri i tretë, një mbrojtës i djathtë dhe një qendërmbrojtës.

Mes shtyllave, të sigurt Donaruma dhe Sirigu, ndërsa Meret dhe Golini do të luftojnë për vendin e fundit. Florenci, Emerson dhe Spinacola nuk preken në krahët e mbrojtjes. Mbetet një vend bosh në të djathtë: në garë janë Di Lorenco, De Shiljo dhe Konti që po rilind këto javët e fundit. Në qendër, po e marrim të mirëqenë faktin se Kielini do të riaftësohet në kohë për Europianin.

Në “zemër” bashkë me kapitenin e Juves do të jenë me siguri Bonuçi dhe Açerbi. Zgjedhja e katërt është e komplikuar: rrezikon Romanjoli, mëngjarash si Xhorxhone dhe Açerbi. Zero dyshime në mesfushë: Zhorzhinjo, Barela, Verrati, Sensi, Zaniolo dhe Tonali janë përpara gjithë konkurrencës. Në sulm, treshja ofensive e krahut përbëhet nga Kieza, Bernardeski dhe Insinje. Rezervat e para janë Orsolini, Grifo dhe El Sharaui.

Në qendër, Beloti dhe Imobile janë të paprekshëm për momentin. Pastaj gara është mes Balotelit, Kinit, Kutrones dhe Pinamontit.

Rekordet – Ndaj Bosnjës, veç 10 fitoreve të njëpasnjëshme, Italia regjistroi edhe 6 suksese radhazi në transfertë, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë. “Axurrët” fituan ndeshjen e 13- të radhazi në kualifikueset e një Europiani, duke u bërë vetëm skuadra e katërt që e arrin këtë gjë pas Spanjës e Anglisë (shtator 2019) dhe Republikës Çeke (2002).

Italia ka shënuar të paktën dy gola në secilën prej 9 kualifikueseve të “Euro 2020” (28 në total). Vetëm Belgjika (34) dhe Anglia (33) kanë realizuar më shumë në kompeticion. Me Kastrovilin dhe Golinin, numri i futbollistëve të impenjuar nga Mançini në stolin e kombëtares italiane shkoi në 52.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"