“Italia do t’u besojë të rinjve, do të na japin trofe”, rikthim në vendin e krimit, Mançini: Dua Botërorin 2026!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2022 | 11:35

“Italia do t’u besojë të rinjve, do të na japin trofe”, rikthim në vendin e krimit, Mançini: Dua Botërorin 2026!

Italia kthehet të luajë në Angli, gati një vit pas triumfit në kampionatin europian. Por që nga finalja e korrikut të vitit të kaluar shumë gjëra kanë ndryshuar dhe mbi kampionët e Europës rëndon barra e moskualifikimit për në kampionatin botëror në Katar.

MANCINI 1

Megjithatë, nuk ka më kohë për të qarë dhe trajneri Roberto Mançini ka vendosur të shohë përpara me Italinë e tij.

Duke folur nga Anglia, ai ka shkuar shumë larg, duke menduar për kampionatin botëror të vitit 2026, duke u premtuar italianëve një kombëtare konkurruese të denjë për të fituar titullin botëror.

Natyrisht që është shumë herët për të folur për një objektiv të tillë madhor. Por Mançini beson se hapat pak e nga pak do të hidhen duke nisur nga ky edicion i Ligës së Kombeve.

NDESHJA – “Do të jetë një ndeshje e vështirë, si çdo ndeshje tjetër që luhet në Angli. Nuk e kam vendosur ende formacionin, por mund të ketë ndryshime, veçanërisht për ata lojtarë që kanë luajtur dy sfidat e para në grup”.

PA TIFOZË – “Të them të drejtën nuk kam shumë për të thënë në këtë drejtim. Nuk kujtoj asgjë çfarë ka ndodhur në Angli në finalen e Europianit, por natyrisht që futbolli është shumë i bukur me tifozët në stadium”.

REVANSHI ANGLEZ – “Nuk e shoh kështu edhe pse në fakt duhen pyetur anglezët se çfarë mendojnë. Për mua kjo është një ndeshje e një natyre tjetër, nuk mund të krahasohet me një finale europiani. Pastaj luhet në një stadium të ndryshëm nga ai ku zakonisht luan Anglia e për më tepër me dyer të mbyllura”.

CIKLI I RI – “Nuk mendoj se duhet ta kishim nisur më parë këtë cikël të ri, ishte e paparashikueshme. Fituam Europianin dhe pas një muaji e gjysmë nisëm sërish të luanim. Kjo ishte skuadra që kishte nisur kualifikueset e Botërorit. Përtej Bonuçit e Kielinit të gjithë ishin të rinj. Ndaj, nuk mendoj se ia vlen t’i kthehemi edhe një herë asaj çfarë ndodhi në Palermo. Nuk ka logjikë”!

E ARDHMJA – “Futbolli ndryshon çdo ditë. Objektivi ynë është t’u besojmë të rinjve dhe të mendojmë për Europianin dhe Botërorin e vitit 2026 që do të tentojmë ta fitojmë”, ka mbyllur Mançini.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"