Itali-Zvicër/ Një duel barazimesh, “Berna” parashikon… thyerje kockash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2021 | 18:25

Itali-Zvicër/ Një duel barazimesh, “Berna” parashikon… thyerje kockash

Itali-Zvicër, sërish në stadiumin “Olimpico”, mbrëmjen e sotme në orën 21:00, do të jetë një tjetër ndeshje për të mos u humbur, por në të njëjtën kohë nga e cila do të kërkohet një tjetër paraqitje e madhe nga djemtë e Roberto Mançinit.

Match-Preview-Italy-vs-Switzerland-Banner

Gjithsesi, pas fitores bindëse me Turqinë, dueli me helvetët duket shumë më delikat, duke nisur jo vetëm nga doza teknike e kundërshtarit, por në të njëjtën kohë edhe nga rezultatet historike mes këtyre dy kombeve.

– Shifrat thonë se në 58 precedentë mes Italisë dhe Zvicrës, bilanci është ndjeshëm në favor të “Axurrëve” me 28 fitore dhe 8 humbje, por ajo që bie në sy është fakti edhe i numrit të lartë të barazimeve. Madje, rreziku i shenjës “X” në mbrëmjen e sotme forcohet edhe më shumë nga fakti se edhe tri ndeshjet e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve kanë dhuruar tri barazime, 1-1, 0- 0 dhe sërish 1-1, duele që janë luajtur mes viteve 2006 dhe 2010.

– Sigurisht që çdo vit historia ndryshon, aq më tepër që Italia dhe Zvicra kanë plot 11 vite që nuk janë ndeshur më mes tyre, ndonëse suksesi i fundit i helvetëve ndaj të kaltërve mungon që nga 1 maji i vitit 1993, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 1994.

– Pavarësisht kësaj, italianët vijnë shumë të fortë në këtë duel, duke qenë se nuk humbin prej 28 ndeshjesh radhazi (bilanci: 23 fitore dhe 5 barazime, duke mos humbur që nga shtatori i vitit 2018, kundër Portugalisë, 1- 0 në Ligën e Kombeve), por në të njëjtën kohë nuk pësojnë gol prej 9 ndeshjesh radhazi.

– Trajneri Roberto Mançini është gjithashtu i karikuar po aq sa edhe futbollistët e tij, meqë ai do të kërkojë të zgjerojë edhe më shumë numrin e ndeshjeve pa humbje në stolin e Italisë, duke qenë se rekordi i Vitorio Pocos prej 30 ndeshjesh pa disfata, i vendosur mes viteve 1935-1939, është vetëm 180 minuta larg.

Ndërsa rekordi absolut historik në historinë e kombëtareve është ai i vendosur nga Spanja mes viteve 2007-2009, prej 35 takimesh radhazi pa humbje.

THYERJA KOCKASH

Ndërkohë, për të konfirmuar atmosferën fantastike që mbizotëron brenda grupit italian, ka menduar Federiko Bernardeski. Sulmuesi i Juventusit dje i ka bërë secilit prej shokëve të tij të ekipit si dhuratë një palë palestrina të personalizuara (mbrojtëset e kockës së këmbës), në të cilat spikat flamuri italian dhe me emrin e gjithsecilit.

Bernardeski Italia

Kjo ide e veçantë u ka pëlqyer shumë të gjithëve, por në të njëjtën kohë duket edhe si një masë paralajmëruese ndoshta se për të provuar fitoren e këtij Europiani rrezikohen edhe thyerje kockash.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"