Ismajli me shokë, Seria A flet edhe më shumë… shqip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 19:20

Ismajli me shokë, Seria A flet edhe më shumë… shqip

Shqiptarët janë gjithmonë e më shumë në modë në Serinë A, falë edhe talenteve që vazhdojnë të shpërthejnë, por edhe kosovarët gjithashtu po nisin të bëjnë historinë e tyre në elitën e futbollit italian. Dhe sivjet pritet që gjaku kuqezi të shtohet mes 20 klubeve më të mira të Gadishullit Apenin.

Ismajli-ufficiale-Spezia

Afrimi i fundit shqiptar është Ardian Ismajli, i cili ka firmosur në radhët e Specias, por ndërkohë edhe shqiptarët e Kosovës, Vedat Muriqi dhe Mërgim Vojvoda, kanë nënshkruar respektivisht me Lacion dhe Torinon, dy klube me emër të madh në Serinë A, ku pritet të kenë një hapësirë të rëndësishme. Madje, për të mos dalë nga konturet, 48 orë më parë u finalizua edhe lëvizja më e shtrenjtë e historisë së një futbollisti shqiptar, ajo e Marash Kumbullës nga Verona te Roma, e cila mes pagesës për huazim, bonuseve dhe lojtarëve të futur në tratativë për të mbërritur te 20-vjeçari prek kuotën e 30 milionë eurove.

Shkurt, Seria A sivjet do të flasë edhe më shumë shqip sesa një vit më parë, por pa dyshim që edhe cilësia e lojtarëve tanë është vërtet e mahnitshme, duke qenë se mjaft prej tyre luajnë me klubet elitë. Nëse Elseid Hysaj tashmë mund të quhet një veteran te Napoli apo, pse jo, edhe Berat Gjimshiti tek Atalanta, Marash Kumbulla dhe transferimi me jo pak bujë i Ardian Ismajlit te Specia janë emrat që pritet të ecin në gjurmët e dy futbollistëve të mësipërm.

Por, ndërkohë, edhe Kastriot Dermaku pritet që të ketë sivjet më shumë hapësirë në radhët e Parmës, ndërsa Thomas Strakosha me Lacion do të provojë që të rivalizojë për titullin kampion, kundër Juventusit dhe Interit, që shihen si favorite absolute. Por, nëse zbresin një shkallë më poshtë në Itali, edhe Seria B ka shumë gjak kuqezi, duke nisur nga portieri Etrit Berisha me SPAL-in; Frederik Veselin që sivjet kaloi te Salernitana, apo edhe Emanuele Ndojin në radhët e Breshas.

SHQIPTARËT DHE KOSOVARËT NË ITALI

NË SERINË A

* MARASH KUMBULLA (qendërmbrojtës, Roma)

* THOMAS STRAKOSHA (portier, Lacio)

* ELSEID HYSAJ (mbrojtës i djathtë, Napoli)

* BERAT GJIMSHITI (qendërmbrojtës, Atalanta)

* ARDIAN ISMAJLI (qendërmbrojtës, Specia)

* KASTRIOT DERMAKU (qendërmbrojtës, Parma)

* MËRGIM VOJVODA (mbrojtës i djathtë, Torino)

* SAMIR UJKANI (portier, Torino)

* VEDAT MURIQI (sulmues, Lacio)

* AMIR RRAHMANI (qendërmbrojtës, Napoli)

NË SERINË B

* ETRIT BERISHA (portier, SPAL)

* FREDERIK VESELI (qendërmbrojtës, Salernitana)

* EMANUELE NDOJ (mesfushor, Bresha)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"