Isli Hidi sfidon Tiranën: Në kryeqytet, ndeshje speciale. Ja si u vendos për kapitenin te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 14:12

Isli Hidi sfidon Tiranën: Në kryeqytet, ndeshje speciale. Ja si u vendos për kapitenin te Teuta

Isli Hidi rikthehet në kryeqytet, aty ku hodhi hapat e parë si futbollist profesionit. Dhe pikërisht kundërshtari i radhës është Tirana, ekip i cili vazhdon të jetë në zemrën e tij. Portieri veteran nuk i ka harruar bardheblutë, por në “Selman Stërmasi” shkon i motivuar për t’u shkaktuar humbjen e dytë radhazi.

Hidi thotë se Teuta e ka të gjithë potencialin për të fituar në çdo fushë, ndërsa theksoi se objektivi parësor për bregdetarët është të kualifikohen në kompeticionet europiane. Ai ndalet gjithashtu edhe te shiriti i kapitenit, që tani e mori Osmani dhe flet për rivalitetin në Superiore dhe pse pranoi ofertën e bregdetarëve.

isli hidi

Aventura me Teutën nisi me një barazimi, me çfarë synimi shkoni në Tiranë?

Ne në çdo ndeshje do të futemi për ta fituar, pavarësisht kë kemi përballë si brenda ashtu edhe në transfertë. Në ndeshjen që zhvilluam kundër Flamurtarit, ekipi tregoi rritje dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm edhe ndaj Tiranës. Më pas rezultatin t’ia lemë fushës së lojës.

Si është të rikthehesh në Tiranë, por si kundërshtar?

Është një ndjesi e veçantë. Rikthim pas disa vitesh dhe për më tepër si kundërshtar. Unë kam dalë nga ekipi i Tiranës dhe është një kënaqësi të jem aty. Megjithatë, ne jemi profesionistë dhe unë tani mendoj vetëm për Teutën me synimin për të dhënë më të mirën.

Në fillimi ju besuan shiritin e kapitenit, më pas kaloi tek Osmani. Çfarë ndodhi?

Nuk jam një person që kam qejf ta mbaj shiritin e kapitenit, megjithatë trajneri ma dha në fillim si lojtari më i vjetër që isha në skuadër. Më pas erdhi Osmani, ai ka më shumë ndeshje te Teuta dhe e vendosëm me konsensus që ta mbajë ai. Gjithçka është në rregull, nuk e kemi problem kush e mban shiritin.

Teuta ka pasur shumë afrime. Çfarë mund të arrini në fund të sezonit?

Grupi është shumë cilësor, të jep besim për rezultat dhe për një kampionat dinjitoz. Gjithsesi, është shumë herët për të folur që tani se ku mund të arrijmë. Është zhvilluar vetëm një ndeshje dhe në futboll nuk i dihet asnjëherë. Mund të fitosh dy ndeshjet e para dhe të humbasësh tetë të tjera. Me afrimet që kemi bërë në merkato, besoj se jemi kandidat seriozë për kompeticionet europiane.

Jeni lidhur shpesh me një kalim te Tirana, por edhe te Flamurtari, megjithatë në fund zgjodhët Teutën. Cila është arsyeja?

Tirana gjithmonë ka qenë pjesë e zemrës sime dhe e kam menduar ta mbyll aty karrierën, por kanë qenë kushtet e tilla, që asnjëherë nuk kemi rënë dakord. Në momentin e parë u aludua edhe Flamurtari. Ishte një bisedim në ajër, por jo konkret. Më pas erdhi oferta nga trajneri Shkëmbi dhe presidenti Hasanbelliu. E pranova me kënaqësi, sepse kam dëshirë që të fitoj një trofe me Teutën.

Tirana ka disa mungesa në këtë takim, por i është rikthyer lojtari i 12-të. Sa e vështirë do të jetë për ju?

Futbolli nuk luhet pa tifozë. Për mua do të ishte kënaqësi e madhe sikur ta shoh stadiumin plot me tifozë, sepse është edhe një karikim për ne aktorët brenda fushës. Nuk ka asnjë lloj presioni, e kemi diskutuar edhe me çunat, është kënaqësi të luash me ata tifozë të mrekullueshëm që ka Tirana. I japin një adrenalinë ndeshjes. Do të jetë një plus për sfidën.

Si është të punosh me Shkëmbin?

Me moshë nuk keni shumë diferencë, por në fushë ai është trajneri… Tani ndryshojnë gjërat, Kemi luajtur bashkë shumë vite, edhe te Kombëtarja, por tani jemi në pozicion tjetër. Marrëdhëniet tona janë profesioniste, kur jemi në fushë nuk kemi asnjë lloj afrimiteti. Jemi profesionistë dhe zbatojmë çdo detyrë që ai na jep. Mundohemi sadopak që ta ndihmojmë me eksperiencën tonë, pasi edhe ai është trajneri i ri dhe ka nevojë. Megjithatë, them se deri tani jemi në rrugën e duhur.

Në vitet e fundit, Skënderbeu e ka nisur kampionatin si favorit, po këtë edicion a ka një ekip që është pak më i avantazhuar?

Skënderbeu, pavarësisht problemeve që ka pasur është po ai ekip me atë filozofi loje dhe pretendent. Gjithashtu, kemi Kukësin, Partizanin, Tiranën, që janë ekipe me histori. Megjithatë, këtë sezon nuk shoh vetëm një ekip, besoj gara do të jetë e rivalizuar deri në javët e fundit të kampionatit.

E keni ndjekur Superioren?

Sipas jush, a ka një rritje niveli i futbollit në vitet e fundit? Kam qenë në brendësi të Superiores. Edhe pse kam luajtur jashtë, e kam ndjekur, ndonëse jo 100%. Superiorja ka një rritje, sidomos me afrimin e trajnerëve të rinj si Shkëmbi, Devolli edhe ndonjë tjetër. Është një frymë e re që do e ndihmojë, sepse Superiorja ka nevojë për një frymë të re.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"