Ishulli i futbollit/ Ibiza aty ku “Pleshti” e Rrahmani shthuren në luks (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 21:07

Ishulli i futbollit/ Ibiza aty ku “Pleshti” e Rrahmani shthuren në luks (FOTO)

Aty është Mesi. Të gjithë janë atje. Një muaj në vit, Ibiza kthehet në kryeqytet të futbollit. Si një stadium i madh, me lojtarë që vijnë nga e gjithë bota.

MESSI IBIZA

Dhe deti në vend të tribunave. Nuk ka dallim klasi apo kategorie. Ibiza është, në mënyrën e vet, demokratike dhe tërheq më të mirët, si Mesin apo lojtarët e Serisë C.

LEO – Leo mbërriti pak ditë më parë, si gjithmonë në fshehtësi. Fluturim privat, një furgon që e pret poshtë anijes, një “megavilë” në një zonë jashtë qytetit. Shoqëria e vetme, gruaja e tij Antonela dhe dyshja Fabregas-Suarez. Mesi kalon ditët e tij në një varkë, e drejtuar nga bluja e kthjellët e Formenterës.

Herë pas here shfaqet në publik për kënaqësinë e “turistëve normalë”, të cilët shkojnë në gjueti për “selfie” dhe për ta jetuar këtë kënaqësi për një vit të tërë dhe çdo mbrëmje duke biseduar së bashku me miqtë se si takoi “Pleshtin”.

Messi

ECEJAKJE – Mbërritjet dhe nisjet pasojnë njëra-tjetrën. Romanjoli u largua, Dries Mertens zbarkoi të hënën, duke zgjedhur një resort ekskluziv për t’u çlodhur dhe për të reflektuar për të ardhmen e tij. Sot i takon Xhanluka Skamakës. Së shpejti priten edhe Miralem Pjaniç dhe Roberto Pereira. Shumë kalojnë këtu. Për të ndaluar apo për të vazhduar në Formentera ku vëllezërit Inzagi po shijojnë qershorin në apartamentin e blerë vite më parë.

Dita e djeshme me vranësira dhe disa pika shiu i mbajti të gjithë në vila. Në çdo rast këshilla ishte që të mos udhëtohej me varkë. Kështu, Vlahoviç, Spinacola, Luis Alberto, Reina, El Sharaui, Daniel Maldini, Pinamonti, Vikario, Mirante morën një ditë pushim prej diellit shumë të nxehtë të kësaj periudhe. Jo vetëm Seria A. Sigurisht ndër “të ftuarit” janë Tibo Kurtua, Xhud Bellingam, Karim Adejemi dhe Luka Zidan, babai i të cilëve, Zinedin, feston ditëlindjen e tij të 50-të dhe që zakonisht e bën një udhëtim në Ibiza.

Pak ditë më parë Serxho Ramos vrapoi buzë detit, gjithmonë i vëmendshëm ndaj gjendjes së tij sportive. Edhe grupi argjentinas zgjodhi një vilë të shkëlqyer në zonën e Salinas për pushimet e tyre, dje kaloi një ditë kryesisht në pishinë. Di Maria, Paredes dhe Lo Selso, me gratë e tyre, dolën vetëm pasdite për të çuar fëmijët në plazh. Megjithatë, dje në mëngjes, Paredes dhe Lo Selso u sfiduan në padel, të organizuar nga Marko Borielo. Një lloj sfide Itali-Argjentinë, që nuk është hakmarrja e Superfinales së humbur nga “Azzurrët” në “Uembli”, por do të luhet për të fituar.

SPORT-PREVIEW-MESSI-7

KARAOKE – Ibiza është e njohur, sepse nuk mungon asgjë, sepse është në modë, sepse mirëpret edhe familjet. Në Ibiza pushon, sepse dita nuk shënohet nga ora. Secili përshtatet me ritmet e veta. Hahet praktikisht gjatë gjithë kohës. Këtu nuk keni nevojë të planifikoni, ju improvizoni gjithçka sipas nevojave të momentit. Muzika është kudo, edhe në ditët e motit të keq si dje. Nëse nuk ka diell, askush nuk mërzitet dhe kjo është gjithashtu një nga sekretet e ishullit që regjistron hotele “full”. Këtu zor se gjen fluturim. Të gjithë duan të kalojnë të paktën tri ditë në Ibiza edhe me kosto të çmendura, duke ardhur nga çdo cep i Europës. Të dielën nuk kishte asnjë varkë për të dalë në det. Dhe në Ibiza, ato nuk janë të pakta.

Natyrisht nuk është destinacioni ideal për pushime me kosto të ulët. Çmimet janë të larta kudo. Tempulli i natës është “Lio” ku mund të hani darkë ose të futeni në klubin e natës, hyrja e të cilit nuk është falas, 70 euro me një pije. Por kjo është një domosdoshmëri, edhe Mesi shfaqet në “Lio” të paktën një mbrëmje në sezon. Në “Piccola Cucina” të Gabriele dhe Valerio Xhufridës nuk ka asnjë mbrëmje në të cilën nuk kalon ndonjë eksponent i botës së futbollit (lojtar a menaxher), i muzikës apo kinemasë. Sonte në Tatel është planifikuar festa e Xho Serrës, organizatorit të pushimeve në ishullin e rreth 150 lojtarëve të Serisë A.

Eventi quhet “Singing with the stars”, pasi përveç darkës, të ftuarit mund të performojnë në karaoke. Do të ketë edhe një shfaqje nga “mentalisti” Xhanluka Liguori, i cili do të argëtojë të pranishmit, duke përfshirë Verratin (i cili do të përpiqet të sjellë Mesin dhe Di Marian), Mertensin, Çerçin, Izon, Mandragorën, Zakanjin, Rrahmanin, Pastoren dhe shumë të tjerë. Më pas, mbrëmja do të përfundojë në “Toy Room” të Xhordan Rokës nën ritmin “reggaeton”, që është zhanri i preferuar i Lionel Mesit.

RRAHMANI

NJË FAMILJE E MADHE – Megjithatë, edhe pse janë me pushime, ata janë të gjithë sportistë afër rifillimit të stërvitjes. Veçanërisht në këtë vit të çuditshëm 2022, kur Botërori do të luhet ndërmjet nëntorit dhe dhjetorit e për rrjedhojë kampionatet do të fillojnë më herët.

Ata që duan të luajnë sport organizohen mes futbollit, padelit, palestrës apo vrapimit klasik. Kala Xhondal, Kala Basa dhe Kala Komte janë plazhet më të njohura, por ata që kanë një shtëpi në qendër preferojnë detin e Talamankas edhe për çështje rehatie, pasi është zona më e afërt plazhit. Dhe topi, herë pas here, shfaqet në rërë: driblim, i përmbysur, një për një. Sepse, futbolli është gjithmonë një lojë. Më i bukuri në botë, edhe në Ibiza.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"