“Ishte një ndjesi shumë e keqe”, Murataj sqaron episodin: Do të shënoja edhe po të kthehej aksioni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2021 | 23:43

“Ishte një ndjesi shumë e keqe”, Murataj sqaron episodin: Do të shënoja edhe po të kthehej aksioni

Valentino Murataj shënoi golin e parë me Partizanin, një gol që do ta mbajë mend gjatë jo vetëm ai, për mënyrën sesi erdhi. Pas ndeshjes, mesfushori sqaron atë episod, për të cilin i vjen keq, por në fund të fundit është një profesionist dhe i duhet të bëjë detyrën..

Murataj

Nëse do t’i vinte sërish ajo mundësi, do të shënonte përsëri. Sipas tij, Partizani duhet të vijojë me këtë ecuri pozitive dhe shpreson te një tjetër fitore në ndeshjen e radhës me Laçin.

Shënuat golin e parë me Partizanin, çfarë ndjesie ju jep?

Normalisht, goli është një ndjesi e veçantë për çdo lojtar, por pak si merak e kam që goli erdhi pasi lojtari i Kukësit ishte i shtrirë. Por, unë nuk e kam parë sepse ne jemi profesionistë dhe duhet të bëjmë punën tonë. Duhet të jemi edhe pak “Fair Play” në lojë, por unë nuk e kam bërë me atë qëllim që ta shkel atë. Rëndësi ka që fituam dhe morëm tri pikët.

Murataj Taipi

Çfarë menduat pas golit duke parë edhe acarimin e kundërshtarit? A u bëtë pishman?

Ishte një ndjesi shumë e keqe, por u gëzova më shumë pasi mbaroi ndeshja dhe ia dolëm të fitonim.

Ju kishte ndodhur ndonjëherë një situatë e tillë, ku në një sekondë duhet të merrnit një vendim të rëndësishëm?

Jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë kjo situatë, por ishte punë sekonde. Normalisht çdo lojtar duhet të jetë profesionist dhe në qoftë se i krijohet një rast duhet ta shënojë, pavarësisht rrethanave të tilla. Normalisht është një ndjesi jo e mirë sepse lojtari i Kukësit ishte i shtrirë.

Në qoftë se do ju vinte sërish ajo mundësi, çfarë do të bënit?

Në qoftë se do vinte sërish, prapë do shënoja sepse mund të ishte finale dhe do ta humbja finalen.

Tani jeni katër pikë larg Vllaznisë…

Kampionati është shumë i gjatë. Ne ishim nëntë pikë larg Vllaznisë dhe tani jemi katër. Nuk do të thotë gjë, pasi ka shumë ndeshje dhe do t’i marrim një e nga një. Kemi një përballje shumë të vështirë me Laçin, ta fitojmë këtë ndeshjen dhe më pas të shohim si do të dalin ekipet e tjera.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"