“Ishte një arbitër bastard”, shpërthen presidenti i Luftëtarit: Do të merrem personalisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 8:50

“Ishte një arbitër bastard”, shpërthen presidenti i Luftëtarit: Do të merrem personalisht

Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, shpërthen ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes ndaj Tiranës, Klajdi Kola, i cili akordoi një penallti të paqenë në favor të bardhebluve kur rezultati ishte 3-1. Në një reagim për “Panorama Sport” pas takimit në “Selman Stërmasi”, Halilaj bëri të ditur se kjo është hera e dytë që Kola ndëshkon Luftëtarin, ndërsa ka dyshime se e ka personale me klubin gjirokastrit.

Biznesmeni-Bekim-Halilaj

“Jam shumë i indinjuar me arbitrimin. Pas asaj që ndodhi me Kukësin, këtë herë luajtëm me Tiranën dhe sërish na penalizuan. Tirana nuk ka nevojë ta ndihmojnë arbitrat, por pse duhet të ndodhë kështu? Është skandaloze, sepse Klajdi Kola ishte i njëjti arbitër që na gjykoi në fazën e parë ndaj Kukësit në fushën asnjanëse të Lushnjës, ku humbëm 4-1. Në atë takim na ka anuluar një gol super të rregullt, na ka mohuar një penallti dhe gjithashtu ka lejuar të shënohet një gol që erdhi nga faulli për Kukësin.

Çfarë duhet të bëj me një arbitër kundër një ekipi?! Për të ardhur te ndeshja e sotme (djeshme) me Tiranën, ku jep një penallti të paqenë kur rezultati ishte 3-1 dhe skuadra jonë ishte në momentin më të mirë. Me vendimin e tij skandaloz vret ndeshjen. Ky arbitër meriton të quhet bastard, nuk di çfarë emri t’i vendos. Pasi na ndëshkoi në fazën e parë ndaj Kukësit, mësuam se FSHF e pezulloi me katër ndeshje.

Nëse Kola e ka personale me klubin e Luftëtarit, atëherë nga ky moment do të merrem unë personalisht me të. Nuk shkon kjo punë?! Ai tallet me djersën e lojtarëve. S’po them se do të barazonim nëse nuk jepej penalltia, por ama, pse duhet të na hahet haku kaq hapur, në një kohë që Tirana po udhëhiqte 3-1? S’ka pse bëhet faktor gjyqtari në momentin tonë më të mirë gjatë lojës. Portieri ynë ka larguar topin me dorë dhe madje ka shkaktuar faull sulmuesi i Tiranës”, deklaroi dje i irrituar Halilaj.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"