“Ishte fitorja e kthesës”, Krasniqi: Penallti e padrejtë për Partizanin, ja çfarë na tha trajneri pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 11:07

“Ishte fitorja e kthesës”, Krasniqi: Penallti e padrejtë për Partizanin, ja çfarë na tha trajneri pas ndeshjes

Fitorja me Partizanin ktheu besimin në radhët e bardhekuqve se ekipi është i ndërtuar në bazë të cilësisë dhe mund të ngjitet lart në renditje. Pa dyshim që pas rezultateve negative të pjesës së parë të kampionatit fshihet mungesa e përqendrimit dhe luhatjet nga njëra ndeshje në tjetrën. Një gjë të tillë e pranon edhe sulmuesi kryesor i ekipit Blerim Krasniqi, i cili u shënoi kampionëve të martën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Krasniqi tregon momentet e suksesit ndaj Partizanit dhe përqendrimin te ndeshja e radhës.

blerim krasniqi

Krasniqi, fitore besimi për ju ajo ndaj Partizanit? 

Po mund të them se ishte një fitore e cila na riktheu besimin të gjithëve. Vinim pas disa rezultateve jo të mira dhe oshilacioneve të pasura në pjesën e parë të kampionatit. Mbi të gjitha do të ndesheshim me kampionët në fuqi dhe sigurisht që kjo përbënte një motiv më shumë për suksesin. Ishim të përqendruar për të dhënë maksimumin. E kishim përgatitur takimin në detaje dhe kjo kishte rëndësinë e saj.

Në një moment u duk se shkoi mbrapsht pas avantazhit të të kuqve. U trembët?

Jo, ata shënuan me një penallti mjaft të diskutuar. Ju e patë që ritmi ynë ishte i mirë dhe kërkuam reagimin menjëherë. Ishte çështje kohe dhe barazimi do të vinte. Për këtë ishim të sigurt. Më pas erdhi i kuqi për ta, që për hir të së vërtetës na i lehtësoi më shumë gjërat.

Në momentin e penalltisë së dytë çfarë menduat?

Nuk e di ta them tamam… Në fillim kishte konfuzion. Pamë që Çinari shkoi drejt këndores dhe më pas ai vendim i kryesorit… Shihja Ditën që i sigurt tregonte se topi ishte përplasur në kokë. Por një penallti e dhënë pa të drejtë nuk shënohet kurrë. Kështu ndodhi.

bandicam 2020-01-21 17-48-23-489

Pas ndeshjes çfarë ju tha trajneri Ilir Daja?

Erdhi në dhomat e zhveshjes dhe na përgëzoi të gjithëve për ndeshjen. Pa që morali ishte i lartë dhe të gjithë po festonim dhe si trajner e kishte të udhës që t’i ulte lojtarët me këmbë në tokë. Na kujtoi se do të luanim një tjetër takim të shtunën kështu që duhet të harronim festën dhe të përqendroheshim te ndeshja e radhës.

Ky Skënderbe a ka potencial për ju?

Po normal që ka. Kjo ndeshje e tregoi më së miri. Jemi një ekip i krijuar mbi elementë të rinj, por të talentuar. Një gjë të tillë nuk e kemi vënë në dyshim, por kemi pasur problemet tona. Mungesat kanë qenë të shumta ndeshje pas ndeshjeje dhe për më tepër koha e përshtatjes ishte e pamjaftueshme në fillim. Duhet të lëmë pas luhatjet, por dhe të jemi të përqendruar. Mendoj se problemet e hasura në pjesën e parë të kampionatit kanë qenë si pasojë e përqendrimit, që në fakt në disa ndeshje na ka munguar.

Merkatoja drejt fundit, Krasniqi qëndron në Korçë?

Asnjëherë nuk jam marrë me merkaton dhe gjithçka e kam lënë në dorë të klubit dhe presidentit. E di që ka pasur interesime për mua dhe kjo më bën të vazhdoj me këtë ritëm e të punoj. Jam këtu duke menduar vetëm për të bërë mirë me Skënderbeun, më pas të ndodhë çfarë të jetë më e mira.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"