Ishin federuar me Maliqin, skandal me dy lojtarë të Devollit. FSHF shkel rregulloren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 18:40

Ishin federuar me Maliqin, skandal me dy lojtarë të Devollit. FSHF shkel rregulloren

Amatorizmi dhe skandalet në futbollin shqiptar nuk kanë fund. Rasti më i freskët i një shkeljeje rregulloreje është ai që ka ndodhur të dielën e kaluar në Kategorinë e Dytë. Bëhet fjalë për dy lojtarë që deri të premten ishin pjesë e skuadrës së Maliqit duke u stërvitur dhe madje ishin të federuar, por në mënyrë të çuditshme kaluan të shtunën te Devolli dhe të dielën në ndeshjen ndaj Butrintit ishin në fushë.

Shkelje e disa rregulloreve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa është i çuditshëm fakti sesi këta dy lojtarë që ishin të federuar me Maliqin brenda 24 orësh federohen dhe luajnë me Devollin. Rudens Muçollari dhe Mateo Përe janë futbollistët. Bëhet e ditur se Maliqi ka bërë ankesë në federatë në lidhje me këtë çështje dhe pritet që të jenë organet disiplinore të FSHF-së që të shqyrtojnë dhe më pas vendosin në lidhje me këtë rast.

Capture1

SKANDALI

Rudens Muçollari dhe Mateo Përe deri ditën e premte ishin në stërvitje me Maliqin dhe më pas të shtunën firmosën te Devolli, ndërkohë që të dielën u aktivizuan në ndeshjen ndaj Butrintit. Gazeta ka arritur të zbardhë edhe rregulloret që janë shkelur në lidhje me këtë rast. “Një lojtar nuk mund të federohet nga më shumë se një klub dhe çdo aplikim që bie ndesh me këtë përcaktim do të refuzohet nga FSHF”, thuhet në nenin 17 të rregullores së kampionatit.

Capture

Ndërkaq, thuhet se për pranimin e dokumentacionit, duhet të bëhet pesë ditë përpara. “Afati për pranimin e dokumentacionit të kërkuar nga kjo rregullore për federimin e një lojtari do të jetë ora 12:00 e ditës së fundit të periudhës përkatëse të transferimit (5 ditë përpara fillimit të kampionatit)”, thuhet në rregulloren e kampionatit. Ndërsa, dokumentacioni nga skuadra e Devollit për lojtarët në fjalë është çuar vetëm një ditë përpara startit të kampionatit. Siç shihet, janë shkelur disa rregullore të kampionatit për këtë rast dhe tashmë do të jenë organet disiplinore pranë FSHFsë që do të vendosin në lidhje me këtë rast.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"