“Ishim të dënuar për të marrë trepikëshin”, Dita: Koha që Skënderbeu të tregojë vazhdimësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2019 | 16:14

“Ishim të dënuar për të marrë trepikëshin”, Dita: Koha që Skënderbeu të tregojë vazhdimësi

Skënderbeu rikthehet te fitorja pas dy javësh, sukses ky që duket se i shkon përshtat skuadrës në këtë moment. Për korçarët një rezultat pozitiv ka qenë më se i domosdoshëm, pasi rritet morali në skuadër. Një nga më të mirët në fushë për Skënderbeun në fitoren ndaj Teutës, Bruno Dita, ka folur me superlativa për ekipin, që sipas tij i ka mundësitë për të shkuar më lart.

bruno dita

“Ishte një ndeshje tejet e vështirë, pasi vinim nga dy takime jopozitive dhe për pasojë ishim të dënuar për t’u rikthyer te fitorja ndaj Teutës. Përballë kishim një ekip që nuk kishte humbur asnjëherë. Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e vështirësisë së kësaj ndeshjeje. Ndërsa nga ana tjetër, edhe situata jonë nuk ishte normale, ku pas dy humbjesh nuk kishim rrugë tjetër veç trepikëshit, edhe pse kishim mungesa të rëndësishme në këtë takim.

Mund të them se kemi bërë një ndeshje të mirë, por na mungoi goli i sigurisë, atë që duhet ta kishim shënuar më herët për të mbyllur përfundimisht takimin dhe për të mos vuajtur deri në momentet e fundit. Gjithsesi, mbetet një takim i rëndësishëm, i fituar, që na çon atje ku i takon Skënderbeut”, u shpreh fillimisht kapiteni Bruno Dita.

Dita

VIJIMËSIA- Ajo që është e rëndësishme për momentin edhe për Ditën mbetet vijimi i rezultateve pozitive në ndeshjet e radhës për të synuar vendet e para të renditjes edhe pse me një ekip të ri dhe të riformatuar. Për Ditën vlen të theksohet fakti se korçarët duhet të mos i gëzohen vetëm këtij rezultati, por të vijojnë të korrin fitore edhe në dy takimet e radhës. “Jemi rikthyer te fitorja, por e rëndësishme është që të vijojmë të marrim rezultate pozitive.

skenderbeu

Në të tilla kushte, mund të themi se pas suksesit me Teutën duhet të vijojmë të pretendojmë për rezultatin maksimal edhe në këtë ndeshje të radhës që do të luajmë në transfertë, por edhe në shtëpi përballë Luftëtarit. Të mendojmë fillimisht për sfidën e radhës e më pas të shohim se çfarë na vjen përpara.

Ajo që është më e rëndësishme për momentin qëndron në faktin se ky ekip duhet të fitojë edhe në transfertë për t’u konfirmuar si një skuadër që ka potencial për të qenë në majë të renditjes”, përfundoi Bruno Dita.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"