“Ishallah shtyhet dhe pak kampionati”, Gjyla flet për dëmtimet te Lushnja: Na kanë marrë mësysh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 20:59

“Ishallah shtyhet dhe pak kampionati”, Gjyla flet për dëmtimet te Lushnja: Na kanë marrë mësysh

Lushnjarët nisën dje javën e radhës për gatitore në kuadër të sezonit 2020-2021. Momentalisht, skuadra verdhejeshile ka disa lojtarë të dëmtuar, ku i fundit është “veterani” Arbër Mone. Futbollisti 33-vjeçar dëmtoi shpatullën në miqësoren e së shtunës me Shkumbinin dhe do të mungojë për një kohë të gjatë, duke prishur planet e stafit teknik.
gjyla
GJYLA – Në një prononcim për “Panorama Sport” trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, flet së pari për situatën e paqartë në lidhje me nisjen e kampionatit. “Ne po mundohemi që me anë të stërvitjes dhe të ndeshjeve miqësore, të ruajmë formën. Nuk e di deri kur do ta ruajmë, sepse nuk e dimë kur fillon kampionati dhe kur hidhet shorti, megjithatë nuk ka rëndësi. Jemi trajnerë dhe për këtë punë jemi. Do të mundohemi me të gjitha mënyrat”, thekson trajneri lushnjar.

DËMTIMET – Më tej, Gjyla prek çështjen e dëmtimeve që i kanë prishur punë skuadrës së tij. “Ajo që më shqetëson mua më shumë është se, nëse do të flisja në gjuhën popullore, ‘sikur na ka rënë syri’. Kemi disa lojtarë të dëmtuar në ndeshjet miqësore. Kam vënë re që shumë skuadra kanë qejf t’i fitojnë ndeshjet miqësore. Na janë dëmtuar 3-4 lojtarë në ndeshjet miqësore, siç janë Xeka, Hysi, Alushi dhe braziliani Luis da Silva. Së fundmi na është dëmtuar Mone, i cili ka thyer klavikulën dhe mendoj se do të jetë një dëmtim i gjatë. Ndonjëherë themi kur do të fillojë kampionati, por ndonjëherë themi ishallah shtyhet pak, që të na rikuperohen lojtarët. Mendoj që Lushnja është e kompletuar dhe këto javë në kanë shërbyer, por dëmtimet na shqetësojnë. Kemi provuar të luajmë me dy në sulm, na janë dëmtuar, kemi vënë dy të tjerë, kemi bërë spostime, prapë na janë dëmtuar. Të shtunën që shkoi na janë dëmtuar Luis da Silva dhe Mone, ndaj tani jemi pak në amulli. Mund të them se 80%-85% të ekipit e kemi, pjesën tjetër do t’ua lëmë ditëve”, ka përfunduar trajneri Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"