“Isha i traumatizuar në Vlorë”, ish-i i Flamurtarit tregon makthin: Erdha për Duron, dhe ika i dëmtuar e pa paguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 23:09

“Isha i traumatizuar në Vlorë”, ish-i i Flamurtarit tregon makthin: Erdha për Duron, dhe ika i dëmtuar e pa paguar

Sezonin e kaluar, tek Flamurtari u transferua Viktor Zhufo, një futbollist që vinte nga Shkëndija e Tetovës, me kërkesë të trajnerit Shpëtim Duro. Mesfushori tregon në një intervistë për “Telesport”, se në fund të sezonit të kaluar, pasi pësoi një dëmtim, mbeti i vetmuar dhe i izoluar në Vlorë, pa marrë as pagat.

zhufo2-470x313

SEZONI I KALUAR – Kur gjërat jashtë fushe shkojnë mbarë, edhe gjërat në fushë shkojnë mbarë. Në 6 muajt e parë kishim organizim shumë të mirë, pagat merreshin në kohë dhe lojtarët ishin në formë perfekte fizike e psikologjike. Në pjesën e dytë të sezonit skuadra nisi të humbiste lojtarë për shkak të dëmtimeve dhe nuk kishim asnjë rrugëdalje, ndaj grupi nuk ishte më i plotë. Rezultatet e këqija po shoqëroheshin me probleme jashtë fushe, me çorganizimin e pagave që nuk morëm dhe për pasojë skuadra humbi përqendrimin nga puna e përditshme në fushë, ndaj erdhën edhe rezultate gjithnjë e më të dobëta.

VUAN NË VLORË – Është e vështirë të përqendrohesh te puna, kur nuk ke kushtet e duhura për punë, kur ke një familje për të mbajtur, kur disa kanë fëmijë për të ushqyer, kur janë fatura për t’u paguar. Unë humba shumë ndeshje për dëmtim që normalisht kalonte me 2 javë kura, por nuk kisha ku të kurohesha dhe u ktheva në stërvitje pa u shëruar plotësisht. Luajta shumë ndeshje pa qenë në formë të plotë fizike, duke sakrifikuar për një kauzë të humbur.

LARGIMI NGA FLAMURTARI – Nuk ndihesha mirë të vazhdoja aty, bashkëshortja ime po ndihej gjithnjë e më e trishtuar, familja ime ishte gati të shkonte në konsullatën braziliane për shkak të situatës sime. Nuk mund të largohesha, pasi rrezikoja të kisha probleme ligjore. Nuk do të qëndroja as për pagën më të mirë në botë.  Në muajt e fundit të sezonit nuk mora asnjë pagë, nuk më ndihmuan të kurohesha dhe pagova gjithçka nga xhepi. Shkova në Maqedoni për kura me ndihmën e disa miqve. Në kontratë më paguhej edhe bileta e kthimit në Brazil, por u detyrova ta paguaj nga xhepi im. Humba shumë para, sepse duhej të firmosja një dokument për mbylljen e parakohshme të kontratës, përndryshe nuk më lejonin të regjistrohesha në asnjë klub tjetër. U detyrova të firmos, duke pranuar që klubi nuk më kishte asnjë detyrim financiar, edhe pse kisha shifra të mëdha për të marrë.

PËRVOJA – Eksperienca ime te Flamurtari ishte më e keqja që mund të imagjinohet, nuk e mendoja kurrë se do takoja personazhe aq negative sa kam takuar atje. Ndoshta nuk jam ndonjë lojtar i jashtëzakonshëm, por duhet pak respekt. Nëse nuk je i kënaqur me një futbollist, prish kontratën dhe jeta vazhdon, është e thjeshtë, por ata as më përshëndetën apo falënderuan kur u largova. Grupi ishte i mirë, i bashkuar. Trajneri Duro mori lojtarë që i njihte dhe e dinte që nuk do kishte probleme. Ishim një grup i mirë, gjithnjë mundoheshim të jepnim maksimumi. Ndryshimi erdhi në momentin e gabuar për mua dhe u ndjeva si jetim. Shkova te Flamurtari për shkak se Duro më kërkoi, sepse kisha edhe 7 muaj kontratë te Shkëndija, një klub ku nuk më mungonte asgjë. Kisha marrëdhënie të mira me të gjithë, por u largova për shkak se më kërkoi Duro. Kur ai iku nga Flamurtari, nuk paguhesha më, isha i dëmtuar dhe nuk kurohesha, askush nuk më dilte në krah dhe nuk kisha as vizë. Kam luajtur një vit pa vizë, si është e mundur të ndodhë kjo?

ARBITRIMI – Ne në shumë ndeshje nuk arrinim rezultate për shkak të ndikimit të arbitrave, kjo ishte e qartë për të gjithë. Ndeshje transmetoheshin në televizion dhe të gjithë e shihnin qartë sa shumë gabohej në dëmin e Flamurtarit. Kishte ndeshje shumë të rëndësishme ku arbitrat bëheshin vendimtarë, duke na ulur ndjeshëm moralin.

OFERTAT – Një biznesmen më takoi para pak kohësh, por as që desha ta dëgjoj propozimin e tij. Isha i traumatizuar dhe nëse i thosha bashkëshortes që do kthehesha në Shqipëri, ajo do të thoshte: Shko ti, unë nuk vij me ty! Do kisha humbur bashkëshorten, po të vijoja në Shqipëri, ndaj preferova të kthehesha në Maqedoni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"