Ish-trajneri Sefa analizon garën në Kategorinë e Parë: Ju tregoj çfarë i duhet Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 23:25

Ish-trajneri Sefa analizon garën në Kategorinë e Parë: Ju tregoj çfarë i duhet Lushnjës

Lushnja e edicionit të ri parashikohet të ketë një tjetër pamje. Ndryshimi i parë vjen në pankinë, drejtimin e së cilës e mori Klodian Duro. Drejtuesit nuk e panë të arsyeshme të rinovonin me ish-trajnerin Agim Canaj.

xhavit-sefa-lushnje-kupa-1024x768

Gjithashtu, nuk rinovuan edhe rreth 60% e kontigjentit të vjetshëm si, golashënuesi më i mirë i skuadrës, Lajthia, Broshka, Qoshku, Mone, Moqi, Musaku, Reçi, Zani, Xhymerti, Kolgega, Endi Gjyla, Alillari, Hima dhe Hugo da Silva.

E njëjta gjë vlen edhe për të rinjtë Dedej, Sheme, Çela. Është i treti sezon radhazi që Lushnja ndryshon më shumë se 50% të kontigjentit. Skuadra është në varësi të plotë të bashkisë dhe kontratat janë sezonale dhe pas përfundimit të kampionatit të fundit të gjithë janë të lirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Lushnjës, Xhavit Sefa, bën apel për afrime cilësore.

“Mendoj që do të kemi një skuadër të ribërë. Me kaq shumë ndryshime duhet një merkato me lojtarë cilësorë që të përshtaten shpejt dhe që kanë kaluar eksperienca të mira, pasi ata e mbajnë presionin e garës. Deri në fund priten afrime kualitative te Lushnja. Klubi e ka buxhetin, edhe infrastruktura është e re. Por duhet që prurjet të jenë cilësore në nivel individual dhe në nivel reparti. Kampionati do të jetë i vështirë, pasi do t’i ngjajë për nga niveli Kategorisë Superiore.

Duhet një bosht me lojtarë cilësorë, që të përshtaten shpejt, me atë që ne e quajmë ‘loja e lidhur’. Skuadra ka nevojë edhe për një lojtar të spikatur, siç ishte Lajthia vitin e kaluar. Që të pretendosh duhet të kesh cilësi. Do të garohet me ekipe si Dinamo, Flamurtari, Skënderbeu, si dhe shumë skuadra të tjera që kanë operuar mirë në merkato. Afrimet cilësore Lushnjës nuk duhet t’i mungojnë”, deklaroi ish-trajneri, Xhavit Sefa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"