Ish-trajneri nuk e sheh të pamundur mbijetesën, Dosti: Elbasani di të… shpëtojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 15:34

Ish-trajneri nuk e sheh të pamundur mbijetesën, Dosti: Elbasani di të… shpëtojë

Muharrem Dosti “skanon” Elbasanin dhe Kategorinë e Parë. Me një eksperiencë të gjatë mbi supe, si futbollist dhe si trajner, ai nuk e ka të vështirë të komentojë atë që po “gatuhet” në Grupin B. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri jep mendimin e tij rreth asaj çka po ndodh këtë sezon. Parashikimi i tij është i qartë: Verdheblutë mbijetojnë dhe Egnatia ngjitet në elitë.

Muharrem-Dosti-Elbasani-490x326

MBIJETESA

Ish-trajneri nuk e quan të pazakontë gjendjen që po kalojnë elbasanasit, ndërsa afrimet e bëra i japin shpresë. “Për Elbasanin kjo është një situatë e njohur, sepse u bënë disa vite që është në këto pozita. Mbijetesa është e vështirë, por jo e pamundur. Vërtet është mbyllur një fazë dhe verdheblutë nuk kanë asnjë pikë në klasifikim, por mjafton një fitore dhe skuadrës i rikthehet besimi. Sipas meje, skuadra ia del të mbijetojë nëse mund rivalët direkt për mbijetesë, sepse ekipet thuajse nuk kanë asnjë diferencë me njëritjetrin. Këtë gjë e kanë treguar edhe lojërat që janë zhvilluar, pasi Elbasani ka luajtur mirë si në fazën e parë edhe tani. Mendoj gjithashtu që ndryshimet e bëra në merkaton e janarit i kanë dhënë një impuls të ri ekipit”, u shpreh fillimisht Dosti, i cili aktualisht stërvit portierët në akademinë e klubit elbasanas.

NGJITJA

Në lidhje me ekipin që mund të ngjitet në Superiore, ai sheh shumë të avantazhuar Egnatian, sepse, sipas tij, po sillet tamam si një skuadër që e ka marrë seriozisht mbijetesën. “Shoh Egnatian mbi të tjerat dhe jo rastësisht, edhe pse Besa mund të jetë skuadra që do ta rivalizojë. Së pari, Egnatia duket se e ka marrë seriozisht që para nisjes së sezonit, ku si fillim afroi në pankinë një trajner ekspert të futbollit shqiptar dhe jo më të Kategorisë së Parë, si Magani. Është ekipi që ka afruar lojtarë nga Superiorja dhe jo më kot është në krye. Për më tepër, ka një presidencë që ka ardhur me plan të qartë, që pasi bënë fushën stërvitore do bëjnë stadiumin për ta parë skuadrën në Superiore. Tri hallkat kryesore i ka në rregull dhe besoj se deri në fund do ta mbajnë vendin e parë e do të ngjiten në elitë”, përfundoi Muharrem Dosti, i cili përveçse parashikon mbijetesën e Elbasanit, sheh edhe ngjitjen e rrogozhinasve në elitë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"