Ish-trajneri Martini: Vllaznia nuk bie, shoh edhe Flamurtarin për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2018 | 22:13

Ish-trajneri Martini: Vllaznia nuk bie, shoh edhe Flamurtarin për mbijetesë

Ish-futbollisti dhe ishtrajneri i Vllaznisë, Edi Martini, mendon se fitorja që Vllaznia ka arritur ndaj Skënderbeut ka rritur ndjeshëm moralin e lojtarëve dhe kjo do të ndikojë në paraqitjet e skuadrës në ndeshjet e radhës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai është shprehur: “Fitorja e arritur ndaj Skënderbeut ka mbërritur në momentin e duhur. Mendoj se Vllaznia përveç tri pikëve ka marrë edhe një rritje morale pas kësaj fitoreje. Në fushën e vet, skuadra duhet që të bëjë në maksimum detyrën, por pse jo edhe të kërkojë pikët në transfertë. Fitorja e arritur ndaj Skënderbeut ka ngrohur atmosferën, duke bërë që këta djem të besojnë në këmbët e tyre. Kjo fitore është një shtysë e mirë për takimet e mbetura deri në fund të sezonit”, tha fillimisht ish-trajneri.

edi martini

MBIJETESA – Martini ka qenë gjithmonë një nga njerëzit që ka besuar se në garën për mbijetesë do të përfshihet të paktën edhe një tjetër skuadër përveç Vllaznisë dhe Kamzës. “Nuk mund të thuhet se tanimë janë vetëm Teuta e Vllaznia në luftë për mbijetesë. Për Teutën e kam theksuar se është një skuadër që pavarë- sisht pozicionit do të gjejë forcat për të dalë nga kjo situatë, por edhe Vllazninë asnjëherë nuk e kam menduar se mund të bjerë. Ashtu siç ndoshta edhe kisha parashikuar pas humbjes me Partinin edhe Kamza ndjehet e rrezikuar seriozisht.

Por, nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe ndonjë skuadër tjetër që mund të përfshihet në këtë “vorbull”. Unë i shikoj edhe vlonjatët një nga skuadrat që mund të përfshihet në këtë luftë, gjithmonë nëse vazhdon me këto rezultate. Përbërja e lojtarëve që ka në dispozicion dhe niveli i lojërave që ka paraqitur nuk ta lejon një gjë të tillë, por ndeshjet e fundit të bëjnë të mendosh se edhe ata do të jenë në garë për mbijetesë”, është shprehur Martini.

SFIDA – Në mbyllje të deklaratës së tij, Martini ka kërkuar nga lojtarët vlerësim maksimal të ndeshjes së radhës ndaj Lushnjës, ekip që mbyll tabelën e klasifikimit. “Nuk duhet që të thuhet se Lushnjën e kalojmë lehtë. Jo rrallëherë, por shpeshherë madje edhe në kohërat tona më të mira, nënvlerësimet e ekipeve të vogla na kanë dëmtuar rëndë. Vjet patëm rastin e freskët të Korabit.

Barazimi na çoi që të diskutonim mbijetesën deri në takimin e fundit. Por edhe më herët kemi lënë edhe tituj prej nënvlerësimeve të bëra. Prandaj do të apeloja që të gjithë ta vlerë- sojnë drejt këtë takim. Nuk ka ekipe të vogla, pavarësisht se në çfarë pozitash janë. Unë nuk doja që të vihet në dyshim asnjë rezultat tjetër veç fitores”, mbylli Martini.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"