Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari me “gjynahe të vjetra”, më shumë mediatik sesa për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 13:18

Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari me “gjynahe të vjetra”, më shumë mediatik sesa për titull

Edmond Lutaj nuk e shikon për titull Flamurtarin nëse vijon me këto oshilacione. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri vlonjat analizon gjithçka në kampin kuqezi. Duke u ndalur te ndeshja me Tiranën, Lutaj e cilëson të vështirë edhe për shkak të lëvizjes së Ardian Memës.

Lutaj

Profesor Lutaj, çfarë po ndodh me Flamurtarin?

Fatkeqësisht deri tani Flamurtari nuk ka krijuar profilin e ekipit që kërkohet nga sportdashësit e qytetit të Vlorës. Gjithashtu, unë besoj që edhe drejtuesit e klubit nuk janë krejt të kënaqur me këtë ecuri.

A mund t’i ketë këto oshilacione një ekip pretendent?

Pyetja e ka përgjigjen brenda. Me këto rezultate që po bën Flamurtari, nuk mund të shpallet kampion. Kjo gjë është më se e qartë. Por mos të harrojmë se kampionati është shumë i gjatë dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë. Një ekip që synon për titull, zakonisht i menaxhon më mirë situatat kur ekipi është në avantazh. Unë jam shprehur më parë se të gjitha ekipet që synojnë për të dalë kampion sivjet, kanë një mundësi reale, duke parë që ekipet që dominuan sezonin e kaluar janë dobësuar. Nga ky këndvështrim jam shprehur se edhe Flamurtari ka një mundësi për të luftuar për titull.

Idrizi nuk ka shpallur objektiva. Mendoni se kjo gjë ndikon negativisht?

Unë të them të drejtën nuk i di synimet e klubit dhe objektivat që Idrizi ka për ekipin. Në media qarkullojnë shumë gjëra. Nëse e kthejmë kokën mbrapa dhe bëjmë një analizë për rezultatet që ka bërë ekipi këto 3-4 vitet e fundit, mund të themi se skuadra ka luftuar për mbijetesë. Pas çdo sezoni, skuadra pak a shumë ka ndërruar për çdo vit trajner dhe një pjesë të madhe të kontingjentit të lojtarëve. Pra, kjo matematikë nuk të jep shanse reale për t’u shpallur kampion. Futbolli jep rezultate pozitive kur ka një vazhdimësi me grupin e futbollistëve, trajnerin dhe objektivat kapen ose janë afër pritshmërisë.

edmond lutaj

Çështja e menaxhimit të presionit ndaj skuadrës është një nga pikat kyçe për ta përballuar sezonin me sukses. Të presim dhe ta shohim sesi ekipi do ta përballojë këtë sezon futbollistik Unë e kam dëgjuar trajnerin Daja që është shprehur se ekipi në momente të caktuara është nën presion. Shpresoj që ta zgjidhin këtë ngërç dhe ekipi të vijë në rritje.

Çfarë nuk shkon te ky Flamurtar?

Unë në momente të veçanta kam kujtuar se ekipi ka ndryshuar pozitivisht, por në ndeshjen tjetër të radhës fatkeqësisht ekipi është kthyer në “gjynahet e vjetra”. Flamurtari është një ekip mediatik. Të gjithëve u pëlqen të flasin për Flamurtarin. Unë mendoj se kjo gjë është deri në njëfarë mase e mirë për Flamurtarin. Por, nëse kjo reklamë nuk kthehet në rezultat, atëherë mediat dhe specialistët fillojnë dhe bëjnë humor me Flamurtarin. Dhe që këto situata të mos përsëriten, Flamurtari duhet t’i parandalojë me një strategji të qartë. Unë mendoj që edhe qëndrimi i Idrizit që nuk i vë objektiv titullin Flamurtarit, ndoshta e bën për këtë arsye. Personalisht do isha për objektiva të qarta për ekipin.

Cilët duhet të marrin më shumë përgjegjësi?

Nuk mendoj se janë një apo dy lojtarë që duhet të marrin përsipër ekipin. Mendoj që ekipi duhet të rritet i gjithi si grup. Të gjejë një mënyrë loje të suksesshme dhe duhet të ketë vazhdimësi në rezultate pozitive. Deri tani ne nuk dimë se cila është forca e Flamurtarit. Këtë gjë duhet ta tregojë ekipi.

Ndeshja e radhës me Tiranën. Si e shikoni?

Ndeshja e radhës do të jetë e vështirë për dy arsye. E para është se Tirana është një ekip që të krijon respekt për emrin e saj. Dhe e dyta se trajneri i Tiranës i di mirë çelësat e lojës së Flamurtarit.

Mema, deri dje pjesë e Flamurtarit, do të vijë si kundërshtar. Si e shikoni këtë lëvizje?

Për lëvizjen e trajnerit Mema mendoj që Flamurtari ka bërë një akt që e nderon, sepse i ka dhënë mundësinë një trajneri të ri të realizojë ëndrrën e tij. Por, momenti i lëvizjes të trajnerit është shumë delikat. Unë besoj te fjala: “Bëj mirë që të gjesh mirë. Mendoj se Flamurtari për mirësinë që bëri do shpërblehet”.

Çfarë nuk shkon në sulmin e Flamurtarit?

Në aspektin sulmues Flamurtarit i mungon befasia. Bushiç për mua është një lojtar shumë punëtor dhe i hap shumë probleme kundërshtarit. Por, Flamurtarit i mungon një lojtar qendror, pas Bushiçit me cilësi të mira shpërthyese dhe integritet, që mund të shfrytëzonte hapësirën në thellësi.

Këtë argument e bazoj te fakti, që Bushic i fiton pothuajse të gjitha duelet me kundërshtarët dhe gjithashtu topat që ai i ul brenda në zonën e rreptësisë. Në të ardhmen klubi duhet të mundohet ta kompletojë Bushiçin me një lojtar tjetër. Atëherë kjo gjë do t’i rriste vlerat ekipit, gjithashtu dhe Bushiç do të merrte atë që meriton sepse është tamam një lojtar shumë i mirë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"