Ish-trajneri: Lushnja merr rezultat pozitiv ndaj Kamzës, është një mundësi e mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 11:55

Ish-trajneri: Lushnja merr rezultat pozitiv ndaj Kamzës, është një mundësi e mirë

Ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Lushnjës, Xhavit Sefa, në një bisedë për “Panorama Sport” komenton startin e verdhejeshilëve në Superiore. Ai beson se Lushnja do të bëjë kthesën e madhe që këtë fundjavë ndaj Kamzës.

Lushnja vs Lece

“Pas tre viteve mungesë dhe vështirësive që ka Lushnja në infrastrukturë, është e kuptueshme që në prezantimet e para të dalin probleme. Gjithnjë në ngjitjet e saj në elitë, Lushnja i ka patur problem ndeshjet e para të kampionatit. E rëndësishme është që të gabohet sa më pak dhe skuadra të vijë duke u përmirësuar. Futbolli ky është.

Ndeshja me Flamurtarin mund të shkonte edhe 2-2. Ndërsa sfida me Kamzën është një mundësi për të marrë rezultatin pozitiv. Lushnja ka më shumë kohë për të përgatitur ndeshjen nga kundështari dhe besoj se duke bërë një lojë të kujdesshme do të marrë rezultatin pozitiv. Ka më shumë eksperiencë, ka lojtarë të mirë në aspektin sulmues, që iu afruan golit me Flamurtarin, ndaj mendoj që në këtë ndeshje Lushnja do të arrijë te fitorja”, është shprehur Sefa.

Ndërkohë, pas pushimit të së dielës, lushnjarët kanë nisur javën përgatitore në kuadrin e ndeshjes me Kamzën që do ta luajnë të shtunën në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Kjo mund të jetë ndeshja e fundit e verdhejeshilëve në fushë asnjanëse. Ndërkohë, për takimin me kamzalinjtë, pritet të jetë i gatshëm mbrojtësi Erion Xhafa, i cili mungoi ndaj Flamurtarit për arsye dëmtimi.

“Besoj se do të rikuperohem deri në fundjavë. Pas dy humbjeve është momenti për të marrë pikët e para në kampionat”, ka deklaruar dje 31-vjeçari.

Hera e parë

Lushnja dhe Kamza do të përballen për herë të parë në Kategorinë Superiore. Myzeqarët dhe periferikët e kryeqytetit janë ndeshur gjithnjë në kategoritë e ulëta. Katër muaj më parë këto skuadra diskutuan titullin kampion të Kategorisë së Parë, që u fitua nga Kamza me penallti, në mungesë të golit pas 120 minutash lojë. Ndërkohë, për herë të fundit lushnjarët e Artan Banos kanë nisur kampionatin me dy humbje në njëpasnjëshme në edicionin 2008-2009.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"