Ish-trajneri, ironi me presidenten e Vllaznisë: Hajde në vete kryetare…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2017 | 21:20

Ish-trajneri, ironi me presidenten e Vllaznisë: Hajde në vete kryetare…

Ish-sulmuesi dhe trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, ironizon kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi, njëherësh presidente e klubit, pas postimeve të kësaj të fundit në “Facebook” gjatë dhe pas barazimit 1-1 ndaj Partizanit të dielën mbrëma. Me anë të një statusi po në rrjetin social, 56-vjeçari ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të kuqebluve përgjatë viteve të fundit. Sipas tij, fakti që në Shkodër festohet një barazim si dhe mostolerimi në një ndeshje, tregon nivelin e futbollit në këtë qytet.

Vllaznia - Partizani 3

Komenti i plotë i Luçit:

“Hajde në vete kryetare…

…sigurisht po qe se i shkruan vetë prononcimet mediatike, ose shih se mos po tallen me ty ata që të këshillojnë apo shkruajnë në emrin tënd.

Para vetëm pak javësh Vllaznia lëkundej në fund të tabelës; ngado flitej për mashtrime e falimentime, stërkëmbësha, ndërhyrje, dorëheqje e dështime. Në mesin e kësaj vorbulle u arrit një barazim në Shkodër ndaj Skënderbeut, barazim pa gola që u festua si fitore e madhe, ‘fitore’ për të cilën kam shkruar publikisht ‘duke mu dashur’ të argumentoj se nuk kemi të bëjmë me fitore, por përkundrazi, me një dëshmi varfërie të suksesit sportiv në Shkodër.

Ndërkohë, një paraqitje e kënaqshme e ekipit javët e fundit bëri që Vllaznia të shkëputet nga zona ‘e ftohtë’ dhe në këtë mini-eufori arrihet një barazim me Partizanin në Shkodër. Dhe përsëri entuziazëm, deklarata, mesazhe gjithandej, papërmbajtje emocionesh për suksesin se Vllaznia nuk paska toleruar ndaj Partizanit?! Plus që përkohësisht jemi në vendin e katërt!

Voltana 1

Që për një paraqitje të mirë të ekipit duhet gëzuar, është gjëja më normale, por kur ky gëzim shpërthen limitet duke kapluar edhe institucionin e Presidencës së Klubit që përbën në ‘bashkim personal’ Bashkinë e Shkodrës, d.m.th. kryetaren e saj, normaliteti merr fund. Merr fund sepse është pikërisht Bashkia me dobësitë menaxheriale të saj që e ka zhytur Vllazninë këtu ku është tash prej një dekade dhe që u servir qytetarëve të vet si sukses një vend përkohësisht të katërt kundrejt rreth 1.4 miliardë lekëve që këta qytetarë paguajnë në vit për ekipin! Janë 1.4 miliardë leke të vyera të buxhetit, të taksapaguesve shkodranë, te buxhetit rekord në Shqipëri që vihen në dispozicion për një klub futbolli, pra thënë më troç për rroga milionere të një ekipi që është larg, tepër larg elitës së futbollit në vend.

Voltana 2

Po i kujtoj kryetares disa pika në forme replike me Bravooooo-t entuziasto-frenetike të përgjatë dhe mbas barazimit të djeshëm ndaj Partizanit shprehur në statuset e saj:

E para, vendi i katërt nuk është kapur akoma, se kampionati vazhdon.

E dyta, ky vendi i katërt me diferencë kolosale nga tre ekipet kryesuese nuk është ndonjëfarë suksesi.

E treta, buxheti, stafi, ekipi, presidentja, Bashkia – ishin këta që janë sot nga fillimi i kampionatit, d.m.th. edhe atëherë kur ishim përtokë, nga fundi fare.

E katërta, shumë e keni ulur pjacën që festoni në Shkodër mostolerimin e një ndeshjeje apo mos-humbjen ndaj një kryesuesi, duke harruar se kështu vetëm evidentoni diferencat me elitën e futbollit shqiptar.

E pesta, për një renditje të ngjashme me Vllazninë, trajneri i Gjirokastrës jep dorëheqjen, pra e quan dështim, kurse pushtetarët vendorë atje flasin për komplote ndaj Luftëtarit, në Shkodër festohet me tam-tame dhe bëje vetë krahasimin.

E gjashta… nuk po zgjatem më!

Nuk po zgjatem se nuk është ky suksesi që Shkodra pretendon, që ka mundësi, që do dhe duhet të arrijë me sportin të cilin ka sjellë në Shqipëri!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"