Ish-trajneri i shkodranëve nuk ka më besim: Mjaft folëm, kjo Vllazni na ka zhgënjyer!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 21:56

Ish-trajneri i shkodranëve nuk ka më besim: Mjaft folëm, kjo Vllazni na ka zhgënjyer!

Nëse në fillim të sezonit të gjithë besonin te skuadra e Vllaznisë, tashmë jo vetëm tifozët, por edhe specialistët e futbollit shkodran duken të lodhur nga kjo skuadër. Pak ditë para takimit me Laçin, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Hysen Zmijani, përtej optimizmit që kërkonte të injektonte në skuadër, është shprehur se ky ekip nuk e ngroh në asnjë aspekt. Mirëpo tepër i zhgënjyer nga Vllaznia e tij duket edhe ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kuqebluve, Edi Martini. Ai, në fillim të sezonit, u shpreh me nota optimiste për afrimet e bëra dhe, për më tepër, shpresonte në një Vllazni europiane.

Edi Martini

I pyetur dje për këtë skuadër, ai është shprehur: “Kam qenë një nga ata që kam besuar, por sot them me gojën plot: Boll folëm për këtë Vllazni! U lodhëm me të”. Të gjithë tani ta marrin vesh këtë që dua ta them. Mendoj se është më shumë se fjalët. Ndihemi të mërzitur e të zhgënjyer”, ka thënë shkurtas e prerë sulmuesi i mirënjohur Edi Martini.

Tani Vllaznia është në pikë të hallit. Rezultati ndaj Laçit ka kthyer krizën pranë kuqebluve që, me sa duket, as ndryshimet e stafit teknik nuk po bëjnë të mundur që të shikojmë një Vllazni bindëse. Fjalët e pakta të Martinit flasim më shumë se kritikat e shumta që në këto momente nuk po i mungojnë kësaj Vllaznie. Mungesa e rezultateve janë treguesi më i mirë i situatës në të cilën gjendet kjo skuadër në këtë kampionat.

vllaznia

SKUADRA – Ajo që duhet të ndiejë përgjegjësinë më të madhe janë pikërisht skuadra e stafi teknik. Pavarësisht se ata kanë besim e optimizëm, sërish janë larg pritshmërive. Skuadra ende nuk po arrin që të bindë me lojën e saj. 12 pikët e grumbulluara në 13 takime dhe, për më tepër, renditja në vendin e 8- të është treguesi më i mirë që Vllaznia e këtij sezoni është në një situatë tejet kritike.

PËRGATITJET – Vllaznia ditën e djeshme nuk u është kthyer përgatitjeve. Pas çdo takimi, skuadra ka bërë një ditë pushim, por kjo për kuqeblutë kishte dy javë që nuk ndodhte. Ngjeshja e takimeve të kampionatit e Kupës ka krijuar këtë situatë. Ndërsa dje tekniku ka lënë ekipin pushim për t’iu kthyer punës ditën e sotme, ku pritet që seanca stërvitore të nisë me një analizë të humbjes me Laçin.

Vllaznia do të ketë javën e ardhshme një ndeshje mjaft të vështirë në transfertë ndaj Flamurtarit, ku objektiv mbetet marrja e të paktën një pike. Tashmë kuqebluve nuk u lejohen më hapat falsë në kampionat, në mënyrë që të mos rrezikojnë shumë në klasifikim.

 

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"