Ish-trajneri i Lushnjës evidenton shkaqet e dështimit: Duhet të largohen lojtarët që janë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2020 | 10:33

Ish-trajneri i Lushnjës evidenton shkaqet e dështimit: Duhet të largohen lojtarët që janë…

Lushnja nuk ia doli edhe këtë kampionat të kthehej në elitë, duke e mbyllur në vend të tretë në grupin e saj. Ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Lushnjës, Xhavit Sefa, për “Panorama Sport” shpjegon arsyet pse skuadra dështoi:

apolonia-lushnja

“Lushnja nuk arriti të ngjitej drejtpërdrejt në Superiore, madje as me ndeshje shtesë, për një sërë faktorësh. Duke lënë mënjanë arbitrimin, që realisht në disa ndeshje i ka hyrë në hak, dua të ndalem te disa probleme të tjera. Lojtarët që janë mbi 30 vjeç, janë të gjithë për t’u hequr, sepse e kanë mbyllur ciklin dhe nuk kanë më çfarë të japin. Flas gjithnjë për nivelet që kërkon Lushnja. Mosha e tyre e lartë ndikon në zhvillimin e një ndeshjeje me intensitet dhe luhet futboll spontan, pa shpërthime. Bëjnë rreth 3000 metra, ndërkohë që duhet shumë më tepër.

Pra, ekipi duhet të rifreskohet dhe fatkeqësisht nuk po shikojmë lojtarë të rinj me cilësi të veçanta dhe me kualitet. Të pretendosh ekipin e parë duhet të jesh lojtar cilësor. Infrastruktura e Lushnjës është shumë e dobët dhe po ndikon drejtpërdrejt tek elementi i ri. Kush shikon fushat tona të stërvitjes, skandalizohet me gjendjen e tyre.erzeni lushnja

Nuk po shikojmë reagim nga bashkia, vetëm indiferentizëm shumë i madh. Luajtëm futboll dhe kaq, por kampionati duhet të analizohet çfarë u kërkua në fillim dhe çfarë morëm në fund. Duhet më shumë vëmendje nga bashkia në aspektin e investimeve. Tjetër problem? Për kampionatin e ardhshëm mendoj që grupet duhet të bashkohen, nuk ka kampionat me skuadër teke. Pakësohen skuadrat dhe më shumë rrinë pushim sesa luajnë. Një grup tek me 18 skuadra do të ishte shumë më mirë. Ka ekipe të cilat kanë vite që nuk luajnë me njëritjetrin”, është shprehur ish-trajneri Sefa.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"