Ish-trajneri i Apolonisë flet hapur: Faji i kupolës, tani u bë bajate. Filozofia e klubit është… fiasko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 21:00

Ish-trajneri i Apolonisë flet hapur: Faji i kupolës, tani u bë bajate. Filozofia e klubit është… fiasko

Dhimitër Papuçiu, trajneri që i ka dhuruar Apolonisë të vetmin trofe në histori, Kupën e Shqipërisë, në çdo situatë ka qenë ndër kritikët më të hapur dhe më dashamirës të kësaj skuadre. Në intervistën e fundit për “Panorama Sport”, ai sikur e ka humbur dëshirën për të folur për Apoloninë, sepse, siç thotë ai: “Fol, fol, por askush nuk të dëgjon dhe asgjë nuk ndryshon”, duke e drejtuar gishtin tregues drejt krerëve të klubit dhe politikës së tyre. Po gjeneza që e mban ngushtë lidhur me Apoloninë, bën që të mos i shmanget intervistës për gazetën tonë.

papuciu

Papuçiu, pas 12 javësh Apolonia renditet e treta në grupin e saj. Si ju duket ky pozicion?

Një pozicion jo shumë normal, për arsye se nëse ke pretendime për të dalë në Superiore, duhet të jesh dikush dhe duhet ta dëshmosh në fushë. Nuk është pozicion i keq, duke llogaritur edhe diferencën me dy skuadrat e para, por nuk është shumë për Apoloninë.

Në raportin kontingjentlojë-rezultat, ka arritur shumë apo pak kjo skuadër?

Mbase kjo do një studim më të hollësishëm, por me aq sa e njoh, them se nuk është aty ku duhet në të tria raportet që thatë. Duhet të ishte më lart, si në lojë, ashtu dhe në rezultate dhe pikë.

Sipas jush, çfarë i ka munguar Apolonisë?

Apolonia ka një emërues gjithë këto vite, ngelet në të njëjtat pozicione, skuadër me hope, jo me një bazament të fuqishëm dhe jo bindëse në objektivin për t’u ngjitur lart.

papuciu-ne-tirane

Klubi përdor termin “filozofi e së ardhmes”. Ju e shihni si zhargon, si element konkret, apo…?

Për çdo gjë mund të thuhet që ka një filozofi. Në kontekstin sportiv më duket se është një “fiasko”, një përrallë që askush nuk e beson më, pasi u bajatizua. Aq “mitike” duket kjo “filozofi”, sa ngjitja e Apolonisë në Superiore duket ëndërr e largët. Edhe sikur të ndodhë një ditë (uroj sa më shpejt), prapë do duket e pabesueshme, sepse e tillë ka qenë politika e klubit së paku këto 5 vjetët e fundit. E ardhmja duhet të ketë themele të forta nga e sotmja. Thënë shkurt: ndërto sot, ruaj dhe forco grupin, konsolidoje, jepi përvojë, forcoje dhe pretendo të arrish më të mirën.

Drejtuesit, meqë 2020-ta përkon me 95-vjetorin e themelimit të Apolonisë, kanë premtuar elitën. Sa gjasa ka të ndodhë kjo gjë?

Nuk e besoj aspak, veç në ndodhtë ndonjë surprizë dhe le të befasohemi të gjithë në aspektin pozitiv. Jam skeptik edhe për faktin nëse kjo skuadër do të ruajë këtë pozicion deri në fund, që do të thotë se me lëvizjet në merkato, Apolonia mund të renditet poshtë vendit të tretë që aktualisht mban. Është nga skuadrat më të dobëta në merkato nga e gjithë Kategoria e Parë, të paktën deri tani.

Sezoni i 5-të në Kategorinë e Parë. Ku ngec kjo skuadër, te drejtuesit e klubit, stafi teknik, lojtarët?

Për mua te “kupola”, te pjesa e epërme e klubit. “Guri” dhe e ardhmja janë ata që drejtojnë dhe që kanë financën. Nëse duan ata, e bëjnë. Kjo nuk është ndonjë çudi e madhe, por shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë më për “dorashka”, tani gjithçka ka shkuar gjer në palcë dhe të gjithë e dinë si kjo skuadër arrin atje ku duhet. Nuk duan! Le ta mbulojnë me atë të famshmen “filozofi” të tyre.

Një apel juaji? 

Asgjë më shumë, veç për të thënë: mjaft luajtët me Apoloninë. Ajo është emblemë e qytetit dhe skuadër e të gjithëve. Mos e shihni si pronën tuaj!

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"