Ish-trajneri Canaj “skanon” kryendeshjen: Ngjitet Vllaznia, Dinamo si e vdekur (E PLOTË)

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 20, 2018 | 23:02

Ish-trajneri Canaj “skanon” kryendeshjen: Ngjitet Vllaznia, Dinamo si e vdekur (E PLOTË)

Vllaznia-Dinamo është supersfida e kësaj jave në Grupin A të Kategorisë së Parë. Dy pretendentet për vendin e parë dhe aktualisht me pikë maksimale pas dy javëve të para do të përballen nesër në “Loro Boriçi”. Ishtrajneri i Dinamos dhe Vllaznisë, Agim Canaj, në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, i analizon të dyja skuadrat dhe jep opinionin e tij se cila prej të dyjave ka më shumë shanse të ngjitet në Superiore në sezonin e ardhshëm.

Agim Canaj ne Vllaznia-Laci 3-0

Keni drejtuar Dinamon dhe Vllazninë si trajner. E kishit menduar ndonjëherë se këto dy skuadra me histori në futbollin shqiptar do të përballeshin në Kategorinë e Parë, ku luftojnë për ngjitjen në elitë?

Të them të drejtën, është e vështirë që të mendosh se ekipe të tilla me historinë që kanë të militojnë në Kategorinë e Parë. Nuk më kishte shkuar ndërmend se do të flisnim për një përballje të tillë në një ligë inferiore duke ditur trofetë dhe historinë që kanë këto klube. Por, në fund të fundit, ky është realiteti dhe duhet t’i marrim të gjitha gjërat ashtu siç janë.

I keni ndjekur këto skuadra në dy javët e para të kampionatit?

Ne fakt, kam qenë më shumë i fokusuar te Vllaznia. Kjo për shkak të rënies së skuadrës nga Superiorja pas shumë vitesh dhe u bë një temë shumë e diskutuar në media dhe në opinionin publik. Dhe sigurisht që tërhoqi vëmendjen maksimale të të gjithëve. Duke parë presionin e gjithë qytetit, e vendosi Bashkinë e Shkodrës në pozita pune për të krijuar një ekip cilësor që të luftojë për ngjitjen, pavarësisht problemeve që mund të ketë. Ka siguruar gjashtë pikë të plota në dy ndeshjet e para dhe e ka nisur në mënyrën më të mirë garën për rikthimin në elitë.

Lojtarët që do të veçonit te këto dy ekipe dhe çfarë kanë më shumë nga njëra-tjetra këto skuadra?

Te Dinamo njoh disa elementë, por e kam pak më të vështirë. Duke qenë se ka gjashtë vite që luan në Kategorinë e Parë, ka humbur disi interesi i të qenit dinamovit. Historia kujtohet 1 vit ose 2 vite, por duke mos investuar te kjo skuadër, gjithçka bëhet më e vështirë. Jo vetëm që nuk ka luftuar për ngjitjen në Superiore, por në disa sezone ka rrezikuar shumë rënien në Kategorinë e Dytë. Tani po shoh një zgjim që më jep shpresë. Fillimi i kampionatit është shumë i mirë dhe janë dy fitore të merituara dhe shoh një ekip që do të luftojë deri në fund për rikthimin në elitë. Një klub me shumë histori ku Dinamo ka fituar trofe dhe të vjen keq që është në atë kategori.

Unë kam dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm te ky klub që nga viti 1994 kur lashë futbollin dhe u ktheva nga Rumania. U bëra trajner dhe deri në 2013-ën kam qenë me pak shkëputje në krye të asaj skuadre. Një periudhë si lojtar dhe trajner rreth 35 vite me Dinamon dhe të vjen keq kur e shikon në këtë gjendje. Unë e kam shtëpinë vetëm 100 metra larg kompleksit “Dinamo” dhe kur shoh që është një gjë e vdekur në kuptimin sportiv, më duket sikur më mbahet fryma. Ne dinamovitëve na vjen shumë keq kur shohim që ngrihen ekipe nga zero dhe kjo skuadër e traditës ka mbetur aty prej shumë vitesh. Të gjithë e kemi ëndërr ta shohim sërish Dinamon në elitë, aty ku e ka vendin. Kemi nevojë për futbollin e traditës.

Çfarë kujtoni nga koha që keni drejtuar të dyja këto skuadra?

Sigurisht, Dinamo është ekipi im i zemrës, pasi kam luajtur për 11 kampionate me këtë skuadër dhe e kam drejtuar për shumë vite. Vllazninë e kam drejtuar në dy momente kur ekipi luftonte për titullin kampion. Dhe në një moment tjetër në vitet e para kur skuadra ishte në menaxhimin e bashkisë dhe kishte problemet e mëdha që dihen. Shpresoj shumë që problematikat që kanë pasur këto ekipe në sezonet e fundit të kenë kaluar dhe të shohim një garë të fortë mes tyre. Mendoj se fuqizimi i skuadrave u ka dhënë një shtysë shumë të madhe për t’u rikthyer edhe një herë në vitet e tyre më të mira.

Cilën shihni më favorite në ndeshjen e së premtes, Vllazninë apo Dinamon?

Mendoj se favorit gjithmonë është skuadra pritëse, në këtë rast Vllaznia, pavarësisht se Dinamo e ka nisur në mënyrën më të mirë. Mendoj se Vllaznia ka një ekip më të pjekur, pavarësisht problemeve që ka pasur gjatë verës. Ka pasur shumë vonesa në ndërtimin e skuadrës, por mendoj se ekipi shkodran është më i konsoliduar. Është një skuadër që vjen nga elita me një nivel më të lartë organizativ në kuptimin e lojtarëve që ka në përbërje. Ndërsa, Dinamo është prej gjashtë vitesh pjesë e Kategorisë së Parë dhe nuk ka pasur elementë cilësorë. Ka bërë disa blerje cilësore gjatë verës, por mendoj se favorit për ndeshjen e së premtes mbetet Vllaznia.

Në Grupin A duket se Vllaznia dhe Dinamo do të jenë skuadrat që do të luftojnë fort për ngjitjen në Superiore. Cila prej tyre mendoni se do t’ia dalë në fund që të ngjitet në elitë?

Dëshira ime e madhe është që të dyja të rivalizojnë fort deri në fund. Të dyja e meritojnë që të jenë pjesë e Superiores. Nuk mund të bazohemi vetëm te një ndeshje. Gjithçka varet nga investimet që bën një klub. Duke parë historinë që kanë, të dyja skuadrat e meritojnë të jenë në elitë dhe jo në këto nivele. Mendoj se kjo do të varet shumë nga ecuria dhe kontingjenti i lojtarëve që këto skuadra do të kenë në vazhdimësi. Në Kategorinë e Parë, asgjë nuk është e thjeshtë. Varet nga pikët që grumbullon brenda dhe jashtë fushe. Nuk mund të vendoset nga një ndeshje, pasi atë 90-minutësh mund ta fitojë kushdo.

Duket se e keni të vështirë të zgjidhni një mes Dinamos dhe Vllaznisë. Në fund, vetëm një ngjitet në Superiore…

Nëse do të ishte çështje dëshire, do të doja që të dyja skuadrat t’i shihja në Superiore sepse është një humbje e madhe për futbollin shqiptar që këto “asete” militojnë në Kategorinë e Parë. Duke parë historikun, them se Vllaznia është një hap më përpara për sa i përket ngjitjes. Dinamos iu morën terrenet dhe tani stërvitet në një ambient tjetër me qira. Organizimi i skuadrës është bërë vonë dhe nuk dihet se kush e sponsorizon. Ndërsa, Vllaznia ka një qytet të tërë nga mbrapa që e mbështet. Gjithashtu, skuadra shkodrane është më përpara se Dinamo për sa i përket organizimit të klubit, lojtarëve që ka në përbërje dhe mbështetjes gjithashtu. Kurse Dinamo ka një fanellë të rëndë dhe mund ta shfrytëzojë shumë mirë këtë aset në këtë luftë.

BESAR BOZGO






www.minuta90.com