Ish-sulmuesi Mancaku: Teutë, titullin e fiton në ndeshjet direkte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 17:34

Ish-sulmuesi Mancaku: Teutë, titullin e fiton në ndeshjet direkte

Ish-sulmuesi i njohur Bledar Mancaku vlerëson ekipin e Teutës për frymën kolektive dhe lojën e bukur që po zhvillojnë. Fenomeni, siç e quajnë dhe sot, në karrierën e tij ka luajtur për disa skuadra, si Teuta, Besa dhe Gençlerbirligi, por, sipas tij, ekipi më i dashur për të mbeten durrsakët.

Teuta-Laci 2-1. Mancaku ka shenuar

Ndërsa flet për “Panorama Sport” rreth “djemve të detit”, ai thotë se këtë vit skuadra është pretendente për titullin kampion. Megjithëse ka kohë që e ka lënë futbollin profesionist, ai vazhdon të jetë mjaft i lidhur me të dhe ka nostalgji të madhe për fushën e blertë. Mancaku flet edhe për kampionatin, rivalitetin e kreut dhe e sheh të hapur luftën për kreun e tabelës.

Si e shikoni Teutën këtë sezon, ka ardhur momenti të luftojë për titull, gjë që dhe juve vetë ju ka mbetur peng?

Unë ju falënderoj që më keni zgjedhur mua për këtë intervistë. Këtë vit ekipi i Teutës është një ndër ekipet më të mira të kampionatit tonë të futbollit dhe kam shumë besim që do të vazhdojë të jetë edhe për pjesën tjetër të kampionatit.

Për mua Teuta e sivjetshme nuk ndryshon shumë nga e vjetshmja. Teuta këtë sezon është më dinamike, më kompakte, më befasuese dhe një ekip që i menaxhon situatat e vështira që ka me shumë qetësi.

Eksperienca që ka ai grup është një vlerë e madhe jo vetëm për Teutën, por për gjithë futbollin shqiptar. Unë mendoj që me pak kujdes dhe me “këmbë në tokë”, Teuta ka mundësi të fitojë titullin këtë sezon futbollistik.

Çfarë duhet të bëjë kjo Teutë që të shkojë e qetë drejt rrugës për t’u shpallur kampione?

Të kalojë Kukësin dhe Vllazninë fillimisht. Nëse ia del, do të jetë dominuese në këtë kampionat. Pastaj, do t’i mbetet vetëm që të fitojë ndeshjet direkte, pasi ky sezon kam bindjen se do të vendoset pikërisht nga këto përballje. Sikundër shihet, diferencat edhe në pikë janë realisht të vogla.

Të shtunën Teuta ka përballjen me Kukësin, si e shikoni?

Me sa di, ekipi po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës, e cila luhet në Durrës, një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal, pasi nga kjo ndeshje Teuta nuk duhet të dalë pa pikë, pavarësisht vështirësisë që paraqet.

Me trajnerin Martini Teuta po ecën mirë. Si e shikoni?

Edi është një trajner me shumë grintë dhe e njeh mirë ambientin. Ai me siguri ua përcjell lojtarëve energjinë e tij dhe mentalitetin e duhur.

Ju bind sulmi i Teutës, duke parë që janë afruar lojtarë shumë cilësorë?

Janë bërë goditje në merkato. Pra, me afrimet e bëra skuadra është përforcuar ndjeshëm. Me Bregun dhe Krasniqin është kompletuar sulmi dhe ekipi është pa dyshim më i fortë. Megjithatë, fakti që këta futbollistë kanë luajtur edhe më parë në Superiore dhe ia njohin vlerën kampionatit, është një plus për skuadrën.

Cilët mendoni se janë pretendentët për titull këtë sezon?

Tabela e klasifikimit është shumë e ngjeshur dhe kampionati do të jetë shumë i paparashikueshëm. Për mendimin tim, është ende herët. Ekipet janë ende të pakonsoliduara mirë që mund të thuhet se po luan si kampion dhe mund të dalë kampion. Gara është e hapur.

Si një ish-futbollist i 20 viteve më parë, si ndiheni sot kur nuk mund të luani dot më futboll?

Kjo për mua është pak e trishtuar, sepse ndonjëherë nostalgjia e viteve bën efektet e saj, sidomos në veprimin që ka te ne ishsportistët. Sa për nostalgji, akoma shikojmë ëndrra sikur po zhvishemi dhe kemi për të dalë sërish në fushë. Mendoj se periudha e viteve ’95 e në vazhdim është e artë, pa nënvlerësuar dhe duke respektuar në të njëjtën kohë edhe periudhat e tjera që na kanë mësuar.

Sa ndikojnë kushtet e infrastrukturës në përgatitjen dhe rezultatet që arrihen në futboll sot?

Në fakt, duhet të ketë më shumë fusha dhe kushte për futbollin, këtë sport kaq të dashur. Ne sot shikojmë fusha me ndriçim dhe të rikonstruktuara. Është për t’u përgëzuar e gjithë kjo punë që po bëhet. Duhen fusha më shumë për fëmijët e vegjël, që do të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Është kënaqësi që stadiumet janë rikonstruktuar në përgjithësi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"