Ish-sulmuesi i Ventspils: Luftëtarin e paralajmërova për dy afrikanët. Letonezët u habitën sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2018 | 21:51

Ish-sulmuesi i Ventspils: Luftëtarin e paralajmërova për dy afrikanët. Letonezët u habitën sepse…

Para ndeshjes Ventspils-Luftëtari 5-0, sulmuesi shkodran, Ndue Mujeci, i cili është bërë i famshëm në futbollin letonez, duke luajtur për kundërshtarin e gjirokastritëve në Ligën e Europës, paralajmëroi përmes “Panorama Sport” se çfarë i priste bluzinjtë. Mirëpo, pavarësisht “spiunimit” falas të Ventspils, gjirokastritët jo vetëm që nuk arritën të ishin dinjitozë, por u shpërfytyruan aq shumë, duke vendosur edhe një rekord në Ligën e Europës sa u përket ndeshjeve, pasi janë skuadra që kanë pësuar më shumë gola brenda 45 minutave, plot 5.

ndue mujeci

“E pashë ndeshjen me kujdes dhe të them të drejtën ishte një zhgënjim i madh. Ju kisha thënë me bindje para se të luhej, se Luftëtari do të kualifikohej, duke ditur forcën e dy skuadrave, pavarësisht se Ventspils e ka kaluar rregullisht turin e parë në Europë. Më vjen keq për Luftëtarin, sepse sa i përket forcës së ekipit ku kam luajtur për tre vite, kam folur përmes gazetës tuaj dhe ndodhi ashtu siç kisha deklaruar që më 20 qershor. Pra, Ventspils është një skuadër më shumë fizike, që luan me kundërsulme. Jam shprehur se ata përdorin topat e gjatë, pasi kanë dy sulmues afrikanë me të dhëna të mira. Një prej tyre është Akinemi, që shënoi edhe katër gola. Mirëpo, Luftëtari nuk i kishte marrë masat”, tregon fillimisht Mujeci.

SHPËRFYTYRIMI – Mujeci thekson se një prej faktorëve kryesorë në këtë dështim të gjirokastritëve është edhe mungesa e eksperiencës në Europë. “Luftëtari është hera e parë që luan dhe kjo ndikon. Pastaj, loja mori një rrjedhë të çuditshme, pasi u akorduan dy penallti që në pjesën e parë. Kam ngel pa fjalë sa dobët luajtën, sepse realisht prisja më shumë. Edhe vetë letonezët ju garantoj që janë habitur nga paraqitja e Luftëtarit. Ata e kishin vlerësuar në maksimum, pasi i druheshin eliminimit.

Kur unë isha pjesë e tyre, të gjithë më thoshin në skuadër se kampionati shqiptar dhe niveli në të është më i lartë se në Letoni. Por, tashmë po vërtetohet e kundërta. Sinqerisht, më vjen shumë keq nga kjo humbje, aq më tepër që rezultati ishte shumë zhgënjyes dhe i papritur nga vetë Ventspils. Përfundimisht, asnjë nuk duhet të gëzohet nga mungesa e Skënderbeut, sepse ishte i vetmi ekip që na përfaqësoi si duhet në Europë”, përfundon 25-vjeçari shkodran.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"