Ish-sekretari i FSHF: Ja pse s’duhet ndryshuar skema…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2018 | 19:05

Ish-sekretari i FSHF: Ja pse s’duhet ndryshuar skema…

Pas sondazhit të “Panorama Sport” në lidhje me strukturën më të mirë të mundshme për elitën e futbollit shqiptar, ish-funksionarë të lartë në FSHF apo edhe figura të shquara të futbollit, janë përgjigjur me argumentet e tyre. Dje, për “Panorama Sport”, edhe Eduard Prodani, ish-sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, në fjalën e tij ka mbrojtur tezën e ish-shefit të Sektorit të Garave, Hito Hitaj, për skemën me 10 skuadra në Superiore.

Prodani-Eduard

Në një forum të bërë nga gazeta, 15 nga 30 klubet e Kategorisë së Parë dhe Superiore duan ndryshimin e strukturës me 14 ekipe. Si e gjykoni?

Ndryshim strukture mund të nënkuptojë shumë aspekte të garës. Për saktësim duhet të themi se ata kërkojnë thjesht të shtohet numri i klubeve në Superiore dhe për rrjedhojë ndoshta edhe në Kategorinë e Parë. S’ka asnjë surprizë, natyrisht që klubet këtë do të kërkojnë. Jam i sigurt që po të pyesësh klubet e kategorive inferiore edhe në Itali, Spanjë, Angli etj., këtë përgjigje do të marrësh. Njësoj si të pyesësh bizneset nëse duan të paguajnë taksa. Si e mendoni përgjigjen?

OK, edhe ish-shefi i garave, Hito Hitaj, është i mendimit që Superiorja me 10 s’duhet ndryshuar, sepse është struktura më e mirë dhe e studiuar për vendin tonë…

Jam dakord me profesor Hiton. Skemës me dhjetë mund t’i numërohen shumë të meta, por sipas meje kjo është formula më e mirë dhe më e përshtatshme për fazën ku gjendet dhe problemet që kalon futbolli shqiptar sot. Unë jam mbështetës i kësaj skeme. Madje, unë mendoj se dhe për të Parën duhet të ishte aplikuar e njëjta skemë dhe formulë.

Astrit Hafizi arsyeton se struktura me 10 s’duhet të ekzistojë sepse lë gjysmën e Shqipërisë jashtë elitës…

Unë jam vërtet i mendimit se mungesa në nivelin elitë të klubeve tradicionale e ka dëmtuar rëndë futbollin tonë. Por është gabim që tani të kërkosh që ta ulësh tërë futbollin në nivelin ku kanë rënë këto klube. Ajo që duhet bërë është e kundërta, pra të ngrihen këto klube në nivelet elitare. Nuk do të arrinim dot askund duke i “mëshiruar” dhe duke i lënë të “zvarriten” klubet historike, por duke i ndihmuar që të ringrihen. Rënia e klubeve tradicionale nuk është fenomen vetëm shqiptar. Në vendet ish-komuniste ka ndodhur shumë shpesh për shkaqe të ngjashme me ato të Shqipërisë.

… Dhe nuk shmang as aleancat thotë ai, si ajo Tirana-Kukësi vjet…

Sa për aleancat, ato nuk mund të eliminohen. Por sigurisht që janë zvogëluar për meritë të skemës me 10 dhe mund të ishin penguar dhe më tej me një formulë më të mirë të Kupës së Shqipërisë. Pastaj, jam i bindur që nuk janë aleancat problemi akut i futbollit tonë.

Prodani

Si ish-sekretar i Përgjithshëm i FSHF, a mund të thoni një përshkrim për strukturën më të vlefshme?

Për këtë mund të bëhen analiza të gjata dhe të sillen shumë argumente pro dhe kundër. Me pak fjalë, mund të them se merita më e madhe e strukturës me 10 është sepse përputhet më mirë me mundësitë ekonomike që ka aktualisht futbolli ynë për të ofruar skuadra të financuara mjaftueshëm për të përballuar deri në fund një garë cilësore.

Në dy sezonet e para kemi pasur 2 skuadra që dekurajoheshin shpejt nga gara, ndërkohë që në sezonet e fundit kemi pasur vetëm 1. Kjo duhet parë si kontribut direkt i skemës në rritjen e cilësisë së garës. Nga ana tjetër, numri i ndeshjeve që siguron sistemi me 4 faza është optimal dhe i krahasueshëm me numrin e ndeshjeve që zhvillojnë skuadrat në kampionatet cilësore të Europës. Skemat me 12 dhe 14 janë problematike si për faktin që shtojnë skuadrat që fillojnë të bëjnë “pazar” në mes të kampionatit, ashtu dhe për numrin e ndeshjeve që mund të planifikohen me ato skema.

A mendoni se FSHF do ta ndryshojë strukturën?

Sinjalet janë dhënë që FSHF mund të jetë duke e menduar seriozisht ndryshimin e strukturës. Unë jam i bindur se FSHF e shikon qartë përparësinë e skemës me 10 dhe formulës, me të cilën aplikohet ajo aktualisht. Në rast se vendosin ta ndryshojnë, atëherë vendimi do të ishte jo në të mirë të kampionatit, por thjesht në funksion të premtimeve dhe balancave elektorale pse jo dhe ndërhyrjeve nga segmente të politikës.

Aq më tepër do të ishte e tillë në rast se vendoset që ndryshimet të kryhen për sezonin pasardhës, pra në kushtet kur rezultatet e garave dihen, kështu që dihen dhe emrat e klubeve që hyjnë dhe dalin. Por shpresoj që të mos ndodhë kështu. Për më tepër, vendimet do të duhet të merren nga Asambleja e Përgjithshme, thirrja e së cilës aktualisht është ligjërisht komplekse. Por mendoj se mënyra që duhet ndjekur është që FSHF ta ndajë me klubet pushtetin për vendimmarrjen në lidhje me strukturat e kampionateve, por pa e lënë këtë në dorë të një sondazhi apo vote populiste dhe jo objektive për shkak të konfliktit të interesave.

Kjo do të mund të realizohej nëpërmjet krijimit të një Lige Profesioniste me nivele. Anëtarësia do të ishte mbi kritere ekonomiko-institucionale (pra, aty nuk mund të hyhet thjesht me dëshirë dhe votim) dhe pjesëmarrja në nivelet e saj do të ishte për meritë sportive, por dhe me garanci financiare.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"