“Ish-presidenti s’duhej përjashtuar, medaljet janë të merituara”, Godelli: Gjoza nuk ka faj për dopingun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2020 | 12:25

“Ish-presidenti s’duhej përjashtuar, medaljet janë të merituara”, Godelli: Gjoza nuk ka faj për dopingun

Javët e fundit kanë qenë shumë të nxehta për shtangën shqiptare, e cila është përfshirë në polemika të forta pas përjashtimit nga gara për president të Elez Gjozës. Për këtë situatë është prononcuar edhe Daniel Godelli, një prej peshëngritësve më të mirë të Shqipërisë në dekadën e fundit. Godelli, fitues i medaljeve të shumta ndërkombëtare, u shpreh kundër përjashtmit të Gjozës, ndërsa theksoi se si Gjoza ashtu edhe Masllavica gjatë kohës kur ishte anëtar i KDsë, nuk kanë asnjë faj në lidhje me skandalet e dopingut që tronditën Shqipërinë disa vite më parë. 28-vjeçari i komentoi kështu përplasjet në komunitetin e shtangës: “As ish-presidenti Elez Gjoza, dhe as anëtari i kryesisë për atë kohë Theodhor Masllavica nuk kanë pasur faj. Akuzat e ndërsjella janë të pabaza, prandaj do të kërkoja nga të gjitha institucionet kompetente që mos të ketë përjashtime, por të bëhet një garë e ndershme.

Daniel Godelli kampion Europe

Pas dënimit çdo sportist ka të drejtën legjitime të zgjidhet në të gjitha organet drejtuese të sportit shqiptar. Nuk duhet të harrojmë që Ilia Ili, 5 herë kampion bote dhe 2 herë kampion olimpik, është zgjedhur zv.ministër i Sporteve në Kazakistan. Kështu që u bëj thirrje Gjozës dhe Masllavicës të bëjnë një garë të ndershme. Njëri do të fitojë, por të dy së bashku të punojnë për këtë federatë, e cila është e vetmja që prodhon medalje europiane dhe botërore”, tha Daniel Godelli.

MEDALJET

Më pas peshëngritësi rikthehet në kohë duke i konsideruar të padrejta akuzat për doping, ndërsa shpjegon se të gjitha medaljet kanë qenë të merituara: “Unë dhe Romela Begaj jemi ndëshkuar padrejtësisht nga Fedrata Botërore, sepse ish-presidenti i IWF, Tamas Ajan, po akuzohet dhe është në gjykim për tjetërsimin e medaljeve të arta në botëror siç ndodhi në Botërorin e Kazakistanit 2014. Unë dhe Romela vinim nga një stërvitje intensive dhe i meritonim ato medalje të arta, por ne jemi të vegjël para një Kine të madhe. Zv.presidenti i federatës kineze dhe ishpresidenti nën akuzë Tamas Ajan na i hoqën ne medaljet nga qafa dhe ia dhanë Kinës.

Ndërsa në këtë kuadër është akuzuar edhe trajneri Luan Shabani, i cili ka qenë shumë i përkushtuar dhe atdhetar, pasi na ka stërvitur me pasion të madh që ne t’i meritonim ato medalje”, shprehet Godelli, i cili e mbyll prononcimin e tij duke i kërkuar ndjesë Luan Shabanit: “I kërkoj falje publike trajnerit Luan Shabani për paragjykimin pa vend që unë kam dhënë, sepse ai me çoi në atë pedanë ku mora titullin kampion bote. Sot faktet tregojnë që presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes ka qenë i korruptuar dhe asnjëherë nuk kishte doping te ne”, përfundoi Godelli.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"