Ish-presidenti Laze: Anglezët janë zhdukur, blerës të rinj për Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2018 | 23:13

Ish-presidenti Laze: Anglezët janë zhdukur, blerës të rinj për Elbasanin

Arben Laze thyen heshtjen dhe ngre zërin për situatën e krijuar në klubin e futbollit të Elbasanit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Laze sqaron situatën me aksionet e klubit dhe i bën apel kompanisë së huaj të likuidojë aksionerët ose në të kundërt kontrata do të shkojë drejt prishjes.

laze

Ndër të tjera, ish-presidenti elbasanas, “thumbon” Eduart Prodanin, si personin që i solli në Elbasan, por tani është zhdukur. Sipas Lazes, vitin tjetër do të shohin një Elbasan dinjitoz, teksa zbuloi se gjatë kësaj periudhe investitorë të tjerë kanë shfaqur interes për të blerë aksionet.

“Siç e dini, ne i shitëm aksionet e klubit te një kompani e huaj. Por, që në fillim na ka munguar korrektësia nga pala blerëse. Fillimisht, ata duhet të mbanin përgjegjësinë kryesore për rënien nga kategoria një vit më parë. Ndërsa, këtë vit dhanë fillimisht tri rroga dhe më pas asgjë”, thotë ndër të tjera Laze.

Gjici-Laze-Takaj

Z.Laze, kampionati po shkon drejt fundit dhe Elbasani është shumë pranë ngjitjes në Kategorinë e Parë. Komenti juaj?

Së pari, dua të falënderoj sportistët me atë që kanë treguar përgjatë këtij sezoni, mes shumë sakrificash. Për situatën e krijuar në klub, edhe unë mbaj përgjegjësitë e mia, si me aksione si pa aksione. Personalisht do e mbështes gjithnjë Elbasanin, edhe sikur të mos kem aksione, pasi lidhja ime me këtë klub nuk është vetëm çështje aksionesh. Jemi të gjithë bashkë me sportistët dhe mund të them se jemi pranë arritjes së objektivit për ngjitjen e skuadrës.

Prekët pak situatën në klub, për çfarë bëhet fjalë?

Siç e dini, ne i shitëm aksionet e klubit te një kompani e huaj. Por, që në fillim na ka munguar korrektësia nga pala blerëse. Fillimisht, ata duhet të mbanin përgjegjësinë kryesore për rënien nga kategoria një vit më parë. Ndërsa, këtë vit dhanë fillimisht tri rroga dhe më pas asgjë. U duk sikur çështja me aksionet mori rrugë, por jemi ende në kushtet e fillimit.

Na sqaroni pak, janë blerë apo jo aksionet nga kompania “Mançester Group”?

Ne, aksionerët nuk jemi likuiduar dhe kanë tejkaluar çdo afat. E kemi shtyrë këtë punë pambarimisht, për t’u dhënë mundësinë që të likuidoheshim. Së bashku me kryetarin e Bashkinë kemi dërguar e-maile, kemi tentuar kontakte, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Gjithsesi, do presim edhe pak kohë dhe pastaj do të shohim. Megjithatë, aktualisht kërkoj që së bashku me bashkinë të gjejmë një zgjidhje, në mënyrë që të dalim korrektë edhe me djemtë e ekipit.

Po personi që ju lidhi me këta blerës, nuk keni pasur kontakte?

Eduart Prodani ishte personi i parë i kontaktit që i solli në Elbasan, por edhe ai i humbi gjurmët. Nuk e di kush do t’i dalë zot kësaj pune dhe kush do t’i mbajë përgjegjësitë, por do të kemi kohë për t’i zgjidhur. Nuk e di kush ka interesa për ta parë Elbasanin në këto pozita.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë interesuar investitorë të tjerë për klubin?

Në fakt, aksionet i shitëm me vlerën minimale të tyre, me shpresën për të bërë më mirë në klub. Gjatë kësaj periudhe na janë afruar shumë blerës, të cilët na kanë ofruar shumë më shumë, por kemi dashur të jemi korrektë dhe i jemi mbajtur kontratës me kompaninë e huaj.

Situata duket shumë e vështirë, si do ia bëni vitin tjetër me këtë klub?

Vitin që vjen si me shitje aksionesh, si pa shitje, do të shohim një Elbasan ndryshe. Jemi në bisedime me miq tanë që na janë afruar. Por, presim një zgjidhje të situatës ku jemi, pastaj të shohim. Por, siç e thashë, do të jetë një tjetër Elbasan.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"