Ish-presidenti i PSG-së: I mrekulluar nga “Birra Korça”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 10:04

Ish-presidenti i PSG-së: I mrekulluar nga “Birra Korça”

Një i ftuar special në ambientet e fabrikës së “Birra Korça”. Bëhet fjalë për Laurent Perpere, ish-presidenti i skuadrës së PSG-së, i cili ka vizituar ambientet e fabrikës “Birra Korça”. 66-vjeçari është mirëpritur nga presidenti i “IHB GROUP”, Irfan Hysenbelliu.

irfani

Presidenti i “IHB GROUP”, Irfan Hysenbelliu dhe ish-presidenti i PSG-së, Laurent Perpere, me bashkëshortet e tyre gjatë festës së birrës në Korçë

Bashkë edhe me pjesëtarë të tjerë të stafit të fabrikës, ish-presidenti i klubit francez është shoqëruar në të gjitha ambientet e kësaj fabrike, ku ka njohur dhe ka prekur nga afër teknologjinë bashkëkohore dhe mjaft të avancuar që përdoret për prodhimin e birrës. Pas vizitës në fabrikë, Perpere ka shijuar edhe festën që zgjati disa ditë dhe në veçanti birrën që mban emrin e këtij qyteti.

“‘Birra Korça’ është e një cilësie të lartë dhe më pëlqen shumë”, u shpreh ndër të tjera ish-presidenti i PSG-së, Laurent Perpere. Ai shprehu konsideratë mjaft të lartë edhe sa i përket fabrikës, e cila sipas tij ka një teknologji bashkëkohore. Më pas, ai ka shijuar festën dhe qytetin e Korçës në tërësi, pasi për të ishte vizita e parë. Perpere dhe Hysenbelliu, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, kanë kaluar disa orë të këndshme në Korçë.

KUSH ËSHTË

Laurent Perpere, ish-presidenti i deleguar i Paris SG, njihet në botën e futbollit për trofeun e shpejtë dhe befasues që i dhuroi klubit parisien në një nga momentet e tij më të vështira. Në vitin 1999, Perpere mori përsipër të menaxhonte klubin më të rëndësishëm të kryeqytetit francez, i cili në atë periudhë ndodhej në një krizë financiare për shkak të humbjeve të mëdha.

Perpere zëvendësoi ish-presidentin Sharl Bietri, i cili kishte dhënë dorëheqjen. Perpere u përpoq maksimalisht të reduktonte humbjet financiare, ndërkohë që edhe skuadra të kishte sukses. Kur thuajse të gjithë mendonin se ishte e pamundur që në atë periudhë PSG-ja të merrte trofe, klubi francez mundi të fitonte trofeun e Kupës “Intertoto” në vitin 2000.

Po atë vit, PSG-ja shkoi në finalen e Kupës së Francës, duke mos e ndier ngërçin financiar në të cilin notonte prej vitesh. Falë administrimit të Perperes, u reduktuan ndjeshëm humbjet, ndonëse ai nuk mundi të shpëtojë plotësisht klubin për shkak edhe të problemeve të brendshme që ekzistonin asokohe në skuadrën franceze. Perpere, një njeri studioz dhe i aftë në ekonomi, ka lindur në vitin 1951 në Francë dhe pasi ishte diplomuar fillimisht për Letërsi, ai studioi edhe për Ekonomi.

Në vitin 1981, ai u emërua inspektor i parë i financave dhe e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1985. Më pas kaloi në sektorin privat dhe aty ra në sy për punën që bëri te kompania “Rhône-Poulenc”. Në karrierën e tij, ai ka drejtuar edhe të përditshmen “Le Provençal” dhe në vitin 1993 iu bashkua televizionit “Canal +”, ku u mor ekskluzivisht me financat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"