Ish-presidenti i Partizanit: Surprizë vetëm humbja me Laçin, lërini kohë ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 9:55

Ish-presidenti i Partizanit: Surprizë vetëm humbja me Laçin, lërini kohë ekipit

Në një kohë që skuadra e Partizanit është në qendër të kritikave, për rezultatet e arritura në tri javët e para të Kategorisë Superiore, ku është siguruar vetëm një pikë, një thirrje për qetësi vjen nga ish-presidenti Lulëzim Sallaku. Ky i fundit ka qenë në krye të ekipit, në momentin që të kuqtë u ngjitën në Superiore dhe ka ndjekur vazhdimisht skuadrën në ndeshjet e sezoneve të fundit në shkallët e stadiumit.

Sallaku Lul

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai u shpreh: “Mendoj se Partizani për momentin ka nevojë për qetësi dhe mbështetje. Është e vërtetë që starti i skuadrës nuk ka qenë më i miri i mundshmi, por nuk duhet të harrojmë se vetëm humbja ndaj Laçit ishte surprizë.

Kjo, pasi barazimi me Kukësin është i pranueshëm, pasi janë ekipi kampion, por edhe humbja ndaj Skënderbeut, një prej ekipeve të momentit në vend, nuk duhet bërë dramë. Natyrisht që rezultatet janë të nevojshme për objektivat, por në këto momente skuadra ka nevojë për mbështetje dhe jo për kritika. Duhet që t’i lëmë kohë për të reaguar dhe për të qenë në krah të saj”, ishin fjalët e Sallakut.

ORGANIKA

Sallaku është i bindur se lojtarët që janë në përbërjen e të kuqve do të shfaqin shumë shpejt vlerat e tyre.

“Skuadra ka futbollistë cilësorë në përbërje dhe ata duhet thjesht të dalin në lojën e tyre. Është ende fillimi dhe jam i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë. Ata që punojnë në krye të Partizanit janë të gjithë profesionistë dhe duhet që t’i lëmë të bëjnë punën e tyre. Duhet të jemi në krah të presidentit Demi, trajnerit Iuliano, lojtarëve dhe të gjithë atyre që punojnë në atë skuadër. Jam i bindur se shumë shpejt do të vijë edhe kthesa që tifozët presin”, ka mbyllur Sallaku.

Ish-presidenti është një nga zërat e paktë që kërkon kohë për ekipin e ndërtuar nga Iuliano, duke qenë se një pjesë e madhe e ish-lojtarëve apo drejtuesve kanë pasur kritika për atë që të kuqtë kanë treguar në fushën e lojës në tri ndeshjet e para të sezonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"