Ish-portieri: I lutem Zotit që Teuta të mos zbresë nga kategoria dhe Luftëtari të kapë Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2017 | 15:42

Ish-portieri: I lutem Zotit që Teuta të mos zbresë nga kategoria dhe Luftëtari të kapë Europën

“I lutem Zotit që Teuta të mos zbresë nga Kategoria Superiore dhe Luftëtari të kapë Kupat e Europës”. Kështu shprehet ish-portieri i njohur gjirokastrit, Miço Çaro, i cili ka luajtur për të dyja skuadrat në vitet ’60-’70. Në një bisedë për “Panorama Sport”, legjenda e portës gjirokastrite flet për ecurinë e Luftëtarit, si dhe ndeshjen e radhës ndaj durrsakëve, duke kujtuar me nostalgji edhe kohën kur luante me Teutën.

Luftetari-700x448

“Gjirokastra dhe Durrësi kanë një traditë të madhe në futboll. Personalisht me Teutën më lidhin tri vite të paharrueshme, kur m’u desh të mbroja portën e Lokomotivës së dikurshme. Teuta më dha emër në futbollin shqiptar, por ndiej keqardhje që tashmë rrezikon kategorinë.

teuta

Në ndeshjen e së hënës, si gjirokastrit do të dëshiroja fitoren e Luftëtarit, por me shpresën që Teuta të mbijetojë. Dua të kujtoj se me fanellën e Luftëtarit kanë luajtur shumë durrsakë, emra të mëdhenj si: Golashi, Zalla, Llambi, Spahiu, Leshteni e Doçi.

teuta-luftetari

Ishin këta futbollistë që në fund të viteve ’60 ia dolën të rikthenin Luftëtarin në Kategorinë e Parë pas 15 vitesh vuajtje në inferiore. Sa i përket ndeshjes, të dyja skuadrat do të luajnë të hënën, nisur nga objektivat që kanë, jam i bindur se do të dhurojnë një 90-minutësh të bukur”, deklaroi 79-vjeçari, i cili prej dekadash është trajner portierësh dhe në 20 vitet e fundit ka punuar në disa skuadra të Athinës.

Në fund, Çaro komplimentoi trajnerin Milinkoviç dhe presidentin Tavo. “Falë profesionalizmit të tyre, mendoj se skuadra e meriton plotësisht të përfundojë kampionatin në vendin e katërt”, përfundoi ishportieri.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"