Ish-nënkryetari i Bashkisë Vlorë: Idrizi gaboi me milionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2016 | 14:20

Ish-nënkryetari i Bashkisë Vlorë: Idrizi gaboi me milionat

Për ish-nënkryetarin e Bashkisë së Vlorës, Arqile Mishtaku, administratori aktual i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka gabuar në shpenzimin e miliona lekëve, pa qenë më parë pronar i klubit.Sinan IdriziNë një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, një nga njohësit e mirë të financave, aktualisht këshilltar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, e cilëson jo serioze mënyrën sesi institucioni ka afruar kompanitë turke te Flamurtari.

“Së pari, më vjen mirë që administratori Idrizi investon për Flamurtarin dhe për këtë do një falënderim të veçantë dhe mirënjohje nga të gjithë ne. Por, rrugën që ka zgjedhur, e ka shumë të gabuar. Ai është ende në rolin e një sponsori dhe nuk është ortak me bashkinë. Kjo gjë më duket jo serioze dhe po të ishte serioze bashkia duhet ta bënte ortakërinë.

Idrizi ka marrë një risk shumë të madh, pasi investimet që ai bën nuk i njeh njeri. Kontratat ligjore janë me pronarin. Një shoqëri funksionon me ortakëri, por këtu nuk e kemi këtë ortakëri. Bashkia e ka të përcaktuar në status që është ajo pronare dhe Idrizi nuk është president për momentin, por sponsor.

Nëse bashkia e ka pasur seriozisht, atëherë të krijonte shoqërinë dhe të ndante aksionet. Këtë gjë duhet që të kërkojë Idrizi. Me sa duket nuk ia kanë bërë të qartë. Por ai sponsorizon dhe këto investime nuk i njihen. Këto gjëra duhet të ishin të qarta”, tha fillimisht Mishtaku. Ndërkohë, ishnënkryetari i Bashkisë së Vlorës, e cilëson të gabuar edhe rrugën që po ndiqet për privatizimin e klubit.

“Privatizimi ka të tjera standarde. Në privatizim hyjnë dhe dalin 101 veta. Sinan Idrizi bën investime, por kush i miraton këto investime?! Cilat janë projektet, kush i ndjek ato në bashki, kush i hipotekon? Kompanitë turke nuk mund ta marrin klubin në privatizim, pasi ato janë asete të bashkisë.

Privatizimin nuk e bën Ministria e Ekonomisë dhe rruga që ata po ndjekin është e gabuar. Çfarë punë ka ministria këtu. Është Këshilli Bashkiak që vendos veton”, theksoi ish-numri dy i bashkisë.

Dy kontratat – Në kohën kur bashkia ka administruar klubin, Arqile Mishtaku ka qenë ekspert për pjesën financiare. I pyetur për çështjen e dy kontratave, ai sqaroi: “Nuk e di këtë fakt që bashkia ka bërë dy kontrata me futbollistët. Nëse ka ndodhur kështu, gjithçka është me firmë dhe e keni të verifikueshme. Sipas kodit të punës, bashkia bën kontrata, por brenda ligjit dhe jo shuma të ekzagjeruara milionëshe. Pra, gjithçka llogaritet në bazë të pagës minimale dhe maksimale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"