Ish-mesfushori i Teutës analizon durrsakët: Vuajnë harmonizimin, gara për Europën kalon nga… Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 19:09

Ish-mesfushori i Teutës analizon durrsakët: Vuajnë harmonizimin, gara për Europën kalon nga… Laçi

Teuta kërkon vazhdimësinë ndaj Laçit. Edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar që u ka hapur gjithnjë punë dhe mbi të gjitha këtë sezon nuk e njeh ende humbjen, durrsakët janë të bindur se nuk do largohen duarbosh nga “Elbasan Arena”. I këtij mendimi është edhe një ish si Bledar Hodo. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon ecurinë e ish-skuadrës së tij, ndërsa thekson se kampionati i vërtetë nis pikërisht tani.

Hodo

Bledar, si e shikoni ecurinë e Teutës në këtë sezon që ka nisur me objektiva të rëndësishme?

Deri në këtë pikë të sezonit, mendoj se Teuta ka bërë mirë, pavarësisht luhatjeve që janë më se normale për një skuadër të rindërtuar. Skuadra po vuan disi harmonizimin e grupit dhe kjo për mendimin tim është thelbësore. Por, e shoh si çështje kohe dhe gjithçka do të rregullohet, ekipi do bëjë gjithçka për të arritur tek objektivat e tij.

Mos ndoshta mund të kishte mbledhur më shumë se 11 pikë ekipi?

Siç e theksova dhe më sipër, kur ke një grup të ri, pavarësisht cilësive që kanë futbollistët, ata duan kohën e tyre që të ambientohen. Nëse do e kishte, atëherë disa pikë më shumë t’i kishin mbledhur.

Si e vlerësoni punën e Shkëmbit te Teuta në këto javë të para?

Mendoj që Shkëmbi po bën një punë të mirë. Klubi durrsak të jep mundësinë të punosh qetësisht dhe kjo është thelbësore, është arma më e fortë e kësaj skuadre. Nëse Shkëmbi do të arrijë t’u “injektojë” eksperiencën e tij futbollistëve, do të krijojë një ekip akoma më të fortë.

Sa ka ndryshuar Teuta nga koha juaj?

Ndryshimi i vetëm është që kur unë isha, kishim një grup që e njihte shumë mirë njëri-tjetrin. Kurse tani kanë pësuar shumë ndryshime. Gjithsesi, kanë ekip të mirë dhe që janë në rrugën e duhur për të bërë më të mirën për fanellën.

Kjo Teutë është më e fortë se ajo e viteve të mëparshme?

Teuta ka qenë gjithmonë një skuadër që ka synuar kreun e renditjes dhe gjithnjë pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Mendoj se për ta bërë këtë krahasim me Teutën e sotme, duhet të presim fundin e sezonit për të parë nëse do t’ia arrijë qëllimit të saj.

Këtë fundjavë skuadra luan pikërisht ndaj ekipit që pretendon zonën “Euro”, i kalueshëm Laçi?

Laçi po tregon një rendiment të mirë në këtë sezon. Megjithatë, kam besim se Teuta do të marrë rezultat pozitiv dhe do të ngushtojnë diferencat me kurbinasit. Nëse ia dalin, edhe durrsakët do të qëndrojnë në linjën e Europës.

Si e shikoni garën këtë sezon?

Kampionati është pa dyshim i fortë, shumë i rivalizuar dhe kjo është në të mirë të futbollit. Shumë lojtarë të rritur në ekipet tona dhe tani po bëjnë dhe karrierë jashtë vendit, por edhe duke furnizuar ekipet zinxhir të Kombëtares. Pa dyshim që ka më shumë cilësi dhe më vjen mirë për këtë, gjithsesi ka ende nevojë për përmirësim dhe më shumë punë në shumë aspekte nga të gjithë.

Cila është skuadra për t’u mundur në këtë kampionat?

Në një kampionat të tillë, të ngjeshur, ndeshjet duhen marrë një nga një, sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë e të fortë. Duhet të punosh dhe luftosh fort në çdo ndeshje që të marrësh maksimumin dhe të mos shikosh cilën skuadër ke përpara, por thjesht të luftosh e të besosh në aftësitë e tua.

Sa larg mund të shkojë Teuta këtë vit?

Dëshiroj dhe uroj që skuadra të jetë pjesë e Kupave të Europës dhe me plot bindje e them që cilësitë dhe mundësitë i ka.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"