Ish-mesfushori Hysko: Viti i Lushnjës, por do të jetë “luftë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2020 | 23:18

Ish-mesfushori Hysko: Viti i Lushnjës, por do të jetë “luftë”

Arben Hysko sheh një Lushnjë më të fortë dhe ambicioze në sezonin e ri. Edhe pse gara do të jetë më e ashpër, ish-mesfushori flet me optimizëm për skuadrën e drejtuar nga Ilir Gjyla. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” trajneri aktual i U19 të verdhejeshilëve shprehet:

Arben Hysko

“Duke qenë se numri i skuadrave pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë përsëri do të reduktohet, mendoj që për të gjithë do të jetë një kampionat i vështirë. Në të gjitha nivele gara pritet të jetë e fortë. Edhe pse nuk është hedhur asnjë hap, si ndarja e grupeve, kalendari, skuadrat kanë dalë në fushë, sepse e dinë që do të jetë një kampionat shumë i fortë. Besa, Besëlidhja, Lushnja, Tomori, Flamurtari, Luftëtari, Elbasani, e gjithë elita e futbollit shqiptar do të konkurrojë këtë sezon në të Parën. ‘Lufta’ për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore do të jetë e ashpër.

Por edhe skuadrat e tjera po lëvizin. Kategoria e Parë do të jetë më e fortë se kurrë ndonjëherë këtë sezon të ri. Unë mendoj që Lushnja e edicionit të ardhshëm do të jetë dinjitoze dhe me pretendime të larta, sikurse gjithmonë. Edhe të rinjtë që kanë depërtuar te skuadra e parë, si Gjyla apo Dedej, do të surprizojnë. Do të punojmë shumë për të nxjerrë elementin që Lushnja e ka pasur traditë. Edhe pse kushtet duken qartë që janë të vështira”, u shpreh Arben Hysko.

AXHENDA – Pas pushimit të së dielës, verdhejeshilët do të zbresin sot përsëri në fushë. Ata do të nisin javën e dytë të përgatitjeve në kuadër të sezonit të ri. Lushnja do t’i vijojë stërvitjet në kushtet e shtëpisë, ndërsa një pjesë e futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar pritet që të rinovojnë. Klubi po punon edhe për afrime të reja në skuadër, e megjithatë ende nuk mund të flitet për emra konkretë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"