Ish-mesfushori Bakalli: Tirana është dramë, ja çfarë i duhet bardhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2018 | 22:52

Ish-mesfushori Bakalli: Tirana është dramë, ja çfarë i duhet bardhebluve

Engert Bakalli nuk është nga ata që në futboll ka kaluar fluturimthi. Ka luajtur me ekipe si Dinamo, Tirana e Partizani, për të mos folur për eksperienca jashtë kryeqytetit. Sot trajner moshash, Bakalli, një nga mesfushorët më karizmatikë dhe punëtorë në fushë, analizon paraqitjen e Tiranës në tri javët e para në Superiore.

Sipas Bakallit, Tirana ndaj Kukësit ishte një dramë më vete, por problemi më i madh mbetet mungesa e një lideri në skuadër.

engert bakalli

Engert, ju jeni një ndjekës shumë i mirë i Superiores. Madje, e shihni kudo edhe Tiranën. Këtë javë humbi me Kukësin…

Në fakt, e kam ndjekur goxha ekipin e Tiranës. Për mua ishte një zhgënjim ndeshja me Kukësin. Kurrë nuk e prisja atë dramë që pashë. Ishte ndeshja më e dobët e Tiranës. Nuk mund të them që shkëlqeu në dy takimet e para, por luajti mirë dhe u mundua të bënte diçka. Në Shkodër, e përsëris, ishte ndeshja më e keqe e skuadrës. Një ekip i shpërfytyruar që fatkeqësisht e meritoi të humbiste. Nuk dha asnjë gjë në fushën e lojës dhe ky është problemi më i madh për Tiranën, që nuk tregoi cila është në të vërtetë.

Ku ishin më saktë problemet e skuadrës?

Probleme kishte sa të duash në ekip, duke filluar nga mbrojtja në sulm. Po t’i marrim një nga një, do të duhej shumë kohë, por mund të them se problemi i madh është mbrojtja. Në ndeshjen me Kukësin ishte katastrofë, dramë, le t’ia vëmë emrin si të duam. Pas tyre ishte edhe mesfusha. Edhe në këtë repart kishte shumë rrëmujë dhe pashë që nuk e furnizonte sulmin. Shkurt, në futboll luhet pa mesfushë dhe gjithçka u reflektua në fushën e lojës dhe rezultatin e ndeshjes.

Kritikuat mbrojtjen dhe mesfushën. Çfarë mungoi?

Siç e thashë, janë dy repartet më të rëndësishme të ekipit dhe nuk ishin gjëkundi kundër Kukësit. Janë zemra e ekipit, por ishin tmerrësisht keq. Nuk kishte koordinim, saktësi, qetësi, shpejtësi. Nuk kishte asgjë. Lojë e avashtë që nuk i shkon për shtat Tiranës, e cila është mësuar me vrull dhe sulm total.

Sulmi është një tjetër repart, i cili është kritikuar shumë. Vetëm një gol i shënuar dhe ai nga një 17-vjeçar?

Problemi i sulmit është kompleks. Nuk jam me atë që thotë trajneri se nuk ka sulmues. Çfarë duhet të bëjnë lojtarët e sulmit kur nuk furnizohen me topa? Gjithsesi, Tirana nuk e ka një sulmues të rëndë që mund të shënojë në çdo moment. Faj ka edhe filozofia e Ze Marias që mendon të ndryshojë stilin e lojës së Tiranës.

Ka gabuar Tirana në merkaton e verës?

Për mendimin tim, po. Pothuajse asnjë prej lojtarëve të ardhur nga vera, jo vetëm që nuk kanë treguar veten, por zor se janë për Tiranën. Janë lojtarë mbushës. Tirana kishte kohë sa të duash që të ndërtonte një skuadër të madhe, por nuk ia doli dot.

Çfarë i mungon kësaj skuadre?

Një ekipi si Tirana në këtë moment i mungojnë dy gjëra. Në krye është lideri. Tirana gjithmonë ka pasur lider. Kur luaja unë apo më parë dhe më pas, bardheblutë kanë pasur dikë që merrte përsipër dhe zgjidhte ndeshjen, lojtar që prej shumë kohësh Tirana nuk e ka dhe nuk shoh ta ketë as këtë sezon. Atë vit që ne u shpallëm kampionë nuk kishim një, por disa liderë në skuadër. Faktikisht, është problemi i të gjithëve në Superiore, jo vetëm i Tiranës. Rrallë shihet një lojtar që të marrë për dore ekipin dhe ta nxjerrë nga situata. E dyta është se i mungojnë tre lojtarë nga ata cilësorët. Nëse do të ishin afruar në merkato, Tirana do të ishte pretendente për të fituar, të paktën një trofe. Në çdo repart mund dhe duhet të kërkohet përforcim cilësor.

Ka ndonjë skuadër, e cila i afrohet Tiranës së titullit kampion të 2007-ës?

Tirana e atij sezoni zor se do të arrihet nga ndonjë ekip në histori. Jo për pikët e grumbulluara, por për lojtarët që kishim në grup. Ekip i papërsëritshëm. Të ktheje kokën mbrapa, pa frikë mund të kishte lider nga porta deri në sulm. Dhe jo një, por disa.

Cili ekip e fiton titullin këtë sezon?

Do të jetë shumë e vështirë që të bëj një parashikim. Meqenëse kam luajtur në dy ekipet e kryeqytetit, do të doja që titulli të kthehej në Tiranë, por edhe Flamurtari, Kukësi e Skënderbeu mund të festojnë. I kanë të gjitha mundësitë për të qenë kampionë. Varet nga çfarë bëjnë deri në fund të kampionatit.

Me çfarë merret Engert Bakalli tani?

Nuk mund të merret me asgjë tjetër, veçse futboll. Merrem me skuadra moshash, por nga futbolli nuk largohem asnjëherë. Pak nga pak do të më shihni më lart.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"