Ish-mbrojtësi Pashaj: Halili e zgjidh me Muzakën, momenti i errët mbaroi. Ja 4 trajnerët më të veçantë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2018 | 12:34

Ish-mbrojtësi Pashaj: Halili e zgjidh me Muzakën, momenti i errët mbaroi. Ja 4 trajnerët më të veçantë

U bë një vit që është larguar nga Sh qipëria, por jo nga futbolli i luajtur. Entonio Pashaj është zhvendosur në Belgjikë, ku po luan në një ekip të Ligës e 3-të. Ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Kukësit, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, flet jo vetëm për aventurën belge, por edhe për të shkuarën e tij.

33-vjeçari është më shumë se i lumtur për rikthimin e bardhebluve dhe shfaqet i bindur që momenti i errët për këtë klub mbaroi. Megjithatë, mendon se Tirana e madhe mund të rikthehet vetëm me një merkato të fuqishme, si edhe me “paqen” mes klubit dhe tifozëve.

entonio pashaj

Nga ka humbur Pashaj, na tregoni diçka për veten?

U bë 1 vit që jam larguar nga Shqipëria dhe, siç dihet, u largova si kampion. Kur erdha këtu, fillova të luaj në Kategorinë e Tretë, që e quajnë këta, por që korrespondon në të 4-ën, në piramidën e kategorive. Bëmë një sezon shumë të mirë dhe e kurorëzuam me fitoren e djeshme (të enjten) kundër Dikkelvene dhe siguruam automatikisht ngjitjen ne Kategorinë e Dytë, ose e Treta. Është e para herë për klubin Eppegem që ngjitet në këto nivele. Është një provincë në Belgjikën flamane.

Nga titulli në titull domethënë, por a ju mungon Superiorja?

Në Belgjikë ndihem shumë mirë dhe krenar për arritjen që bëmë. Superioren e ndjek çdo javë dhe mallin e heq duke parë shokët në TV. Dhe mund të them se ndihem i lumtur që Guri po shkëlqen këtë kampionat. E meriton.

Tani që jeni larguar, mund të na zbuloni për kë bëni tifo?

Normal që Tirana mban vendin e parë, sepse aty kalova pjesën më të madhe të karrierës sime. Plot 6 vjet dhe jam shumë i lumtur që e shikoj përsëri në elitë, aty ku i takon.

Si u ndiet kur Tirana ra nga kategoria?

Siç u ndien që të gjithë tifozët e Tiranës. Ishte hera e parë në histori. Po kjo është e kaluar tashmë dhe i uroj sa më shpejt Europën dhe titullin.

entonio pashaj

Keni luajtur gjatë te Tirana dhe e njihni mirë ambientin, çfarë u duhet që të rikthehen të lavdishëm?

Tiranës i duhet thjesht një merkato e fuqishme, sepse të tjerat i ka të gjitha. Me fanellë, tifozë, stadium apo presidencë. Të gjitha aty i ka. Çdo ekip elitar në bote e ka një moment të errët dhe tashmë Tirana e kaloi.

Përmendët presidencën dhe tifozët, por a e dini që marrëdhëniet janë të “krisura”…?

Besoj se shumë shpejt do t’i rregullojnë për një Tiranë të madhe.

Nga sa e keni ndjekur Tiranën këtë vit, ku mendoni që duhet të ndërhyjnë dhe nga grupi aktual të ka bërë përshtypje ndonjë lojtar?

Pak e kam ndjekur. Por më mirë e dinë drejtuesit se ku duhet të ndërhyhet. Kam parë që Greca ka shënuar shumë dhe më bëhet qejfi, sepse që momentin e parë që e kam njohur, ka qenë një tifoz i flaktë i Tiranës dhe e kishte ëndërr të luante aty.

Tirana rrezikon tjetër penalizim pikësh nga Disiplina për borxhin ndaj Muzakës. A do zgjidhet kjo çështje?

Presidenti Halili ka treguar që në momentet finale ose kulminante ka ditur t’i zgjidh këto probleme. Dhe besoj, është diçka e zgjidhshme.

Edhe ju keni pasur një çështje gjyqësore me Tiranën dhe dolët i humbur, keni pishmane?

Janë të kaluara. Problemet i pata në kohën kur klubin e drejtonte bashkia. Gjëra që nuk kthehen më mbrapsht.

Tani që luani në Belgjikë, ndieni ndonjë diferencë me Shqipërinë? Ju bën diçka përshtypje, nëse do të bënit një krahasim?

Infrastruktura është shumë më lart dhe në kategoritë inferiore, por nga ana sportive Shqipëria ka shumë talente.

Miku më i mirë që keni nga ky sport?

Janë shumë, nuk mund të veçoj një ose dy. Në çdo ekip që kam luajtur, kam pasur 3-4 shokë shumë të ngushtë.

Po trajner, do veçonit ndonjë?

Nga shqiptarët do veçoja Gjokën dhe Likën. Kurse nga të huajt Rubion dhe Lonçareviç. Këta janë trajnerë që kam ndier shumë profesionizëm dhe përkushtim deri në detaje. Kam respekt të veçantë për ta.

A keni pengje në karrierë dhe cili është momenti më i bukur?

Pengje nuk kam. Momentet më të bukura janë kur kam fituar trofetë me Tiranën dhe kampionatin e fundit me Kukësin.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"