Ish-mbrojtësi i Teutës refuzon ofertat nga elita dhe i thotë “po” Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2017 | 16:21

Ish-mbrojtësi i Teutës refuzon ofertat nga elita dhe i thotë “po” Besës

Që në startin e stërvitjeve, presidenti i skuadrës së Besës, Nexhat Bizhdili, kishte deklaruar se do të riktheheshin në ekip dy lojtarët kavajas me shumë përvojë: qendërmbrojtësi Erand Hoxha dhe mesfushori Meglid Mihani. Nëse Mihani iu bashkua grupit për sezonin e ri sportiv në Kategorinë e Parë, kjo nuk ndodhi me qendërmbrojtësin Hoxha.

Hoxha

Kujtojmë se Erand Hoxha ka një karrierë të pasur në Kategorinë Superiore ndërsa ka veshur disa fanella si Besa, Teuta për disa sezone radhazi. Pikërisht falë nivelit që ai ka treguar ndër këto vite në fushën e blertë me skuadrat ku është aktivizuar, ka bërë që edhe këtë sezon të mos rreshtin ofertat nga ekipet e Superiores për Hoxhën.

Hoxha

Njëherësh në adresë të tij nuk kanë munguar edhe oferta nga skuadra kryesore të Kategorisë së Parë. Megjithatë pasi i ka vlerësuar ofertat Hoxha ka vendosur t’i thotë “jo” të gjitha atyre dhe i është bashkuar shokut të tij Meglid Mihani. Dje qendërmbrojtësi kavajas është bindur siç duket nga presidenti i klubit verdhezi, Bizhdili dhe i është bashkuar Besës.

Hoxha

Me kthimin e Hoxhës, trajneri Artion Poçi të paktën tashmë ka një shtyllë në mbrojtje dhe një garanci më shumë për prapavijën përgjatë sezonit të ri sportiv ku pritet të jetë mjaft kompetitiv. Pak ditë më parë trajneri Poçi i bëri apel presidentit Nexhat Bizhdili për të bërë përforcime nëse pretendimet janë për t’u ngjitur vitin e ardhshëm në grupin e elitës.

Pikërisht për këtë qëllim, në prag të startit të sezonit të ri sportiv, janë në provë edhe mjaft elementë të rinj ku në ditët në vijim pritet se kush prej tyre do të arrijë të marrë “bekimin” nga ana e stafit teknik.

“TRIANGOLARE”- Kavajasit do të marrin pjesë në një turne “triangolare” në Durrës ku kanë konfirmuar Trepça 89 nga Kosova Besa dhe skuadra vendëse e Teutës. Ky turne miqësor do të zhvillohet në datat 2 shtator.

FERZI FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"