Ish-mbrojtësi i Skënderbeut i bashkohet Kastriotit, Marku s’e bën dramë barazimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 16:37

Ish-mbrojtësi i Skënderbeut i bashkohet Kastriotit, Marku s’e bën dramë barazimin

Kastrioti përforcohet para Veleçikut. Elton Doku ka “zbarkuar” dje në Krujë. Mbrojtësi ka lënë Gjermaninë dhe është kthyer në Shqipëri për të vijuar futbollin. Ai është aktivizuar në liga të ulëta gjermane dhe me përvojën e tij do të jetë një “armë” më shumë për të besuarit e Ramazan Ndreut.

Elton Doku

Lojtari ka qenë i përfshirë në listën e federimeve, por vetëm dje ka nisur stërvitjen. Klubi sakaq mbetet në pritje edhe të afrikanëve, që nuk po rikthehen. Kujtojmë që Doku në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e klubeve të Superiores si Skënderbeu, Laçi, etj.

Përtej të gjithave, Taulant Marku beson se skuadra do të ketë ecuri të ndritur. “E kemi nisur mirë kampionatin me një fitore ndaj Egnatias dhe një barazim ndaj Besëlidhjes. Në fakt, ndaj lezhjanëve na mungoi fati pasi skuadra prodhoi lojë dhe pati disa raste të pastra, mirëpo nuk u finalizuan. Megjithatë, ky është vetëm fillimi i kampionatit dhe nuk duhet bërë dramë”, tha fillimisht sulmuesi për “Panorama Sport”.

Kastrioti

Kapiteni i dy javëve të para shpall objektivat për ndeshjen e radhës. “Veleçiku është një skuadër e mirë dhe fusha e ‘Reshit Rusi’-t është e vështirë. E megjithatë, skuadra jonë ka pësuar rritje nga ndeshja në ndeshje dhe besoj se nëse vazhdojmë të japim maksimumin, fitorja do jetë e jona.

Ne kemi një objektiv të qartë, që është rikthimi në elitë, presidenti ka bërë investimet e duhura duke ruajtur boshtin dhe duke afruar disa lojtarë të rëndësishëm. Besoj se në fund do t’ia dalë, pavarësisht se kemi disa rivalë të fortë. Objektivi personal? E rëndësishme këtë sezon është që të realizojmë objektivat e klubit, pastaj të shohim”, përfundoi Taulant Marku.

Bujar Balliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"