Ish-mbrojtësi i Shpresave tek Apolonia, drejtuesit duan edhe një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2019 | 11:22

Ish-mbrojtësi i Shpresave tek Apolonia, drejtuesit duan edhe një sulmues

Miqësorja e fundit me Bylisin ka shfaqur sërish problemet e skuadrës fierake. Apolonia është një ekip që përpiqet të lëvizë mirë në fushë, qarkullon dendur topin, krijon raste, por bën edhe shumë gabime, sidomos në prapavijë.

irlian ceka kombetarja u 21

Nëse në sulm jo të gjitha mundësitë mund të finalizohen me gol, në mbrojtje gabimet janë fatale dhe të kushtueshme. Rasti më i fundit, të tre golat e Bylisit kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë së repartit mbrojtës të Apolonisë. Veç Dudës dhe Nakos, fierakët nuk kanë asnjë lojtar tjetër të mirëfilltë të këtij reparti, por vetëm po bëjnë përshtatje.

As Sota dhe as Prifti nuk janë mbrojtës “origjine”, ndërsa ndeshjet e fundit janë provuar edhe Ymeraj, Omeri dhe Zoga, krejt jashtë rolit të tyre natyral… “Kjo është mundësia e tregut”, – mbase me të drejtë thonë drejtuesit, por duhet t’i kishin menaxhuar më mirë raportet daljehyrje në këtë repart më herët. Largimet mund të bëheshin pas përforcimeve.

CEKA – Në miqësoren e fundit me Bylisin, në radhët e Apolonisë është aktivizuar edhe Irlian Ceka, mbrojtësi i majtë 21-vjeçar, që mund të huazohet nga Laçi. Ceka ka lindur në Romë, është aktivizuar me moshat e Romës, Askolit, Lacios dhe Sambenedetezes, duke qenë edhe titullar tek U-21-shi i Shqipërisë deri në mars të vitit të kaluar.

Në janar të këtij viti nënshkroi për Laçin, por nuk ka luajtur asnjë minutë të vetme për kurbinasit, pasi pretendohet se ka qenë i dëmtuar. Ceka është një nga emrat që gazeta e ka paralajmëruar më parë si huazim nga ekipet e Superligës, por nuk ka një vendim final për të. Mbrojtësi duhet të bindë në performancën e tij, aq më tepër kur Apolonia ka probleme në mbrojtje dhe synon lojtarë më cilësi. Synohen edhe dy huazime të tjera, sipas burimeve të sigurta të gazetës, një mbrojtës po nga ekipet e Superligës dhe një sulmues që diskutohet mes një maqedonasi dhe një lojtari të dalë jashtë projekteve nga një ekip i elitës.

Të dy sulmuesit janë 21 vjeç dhe do të testohen këto ditë, por vetëm njëri do të firmosë për Apoloninë nëse bind. Nëse shtojmë edhe ganezin Benet Ofori Ansu, që do të adaptohet në Fier si organizator apo edhe qendërmbrojtës, këto mund të quhen lëvizjet e pritshme te bardhejeshilët në merkato, pa përjashtuar ndonjë surprizë në momentet e fundit.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"