Ish-mbrojtësi i Milanit nuk kursehet: Klubin po e shkatërronin interistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 9:40

Ish-mbrojtësi i Milanit nuk kursehet: Klubin po e shkatërronin interistët

Tani është ndihmësi i Shevçenkos në stolin e Ukrainës, por edhe pas largimit Mauro Tasoti vijon të jetë shumë i lidhur me kuqezinjtë. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ish-mbrojtësi ka komentuar rolin e milanistëve në klub pas marrjes së pronësisë së “Djallit” nga fondi “Elliott”: “Nuk them se humbjet ishin pasojë e tyre, por vërtetë te Milani ishim mbushur me interistë dhe ardhjet e Leonardos dhe Maldinit i shoh si një erë pozitiviteti. Nuk e kuptoj sesi një si Paolo qëndroi larg Milanit për kaq shumë kohë, por me sa duket asnjë nga ofertat që ka marrë ndër vite nuk ka qenë bindëse si kjo e fundit”.

gatuzo anceloti tasoti

Pas 35 vjetësh në të gjitha nivelet e Milanit, Tasoti jep edhe një mendim për Xhenaro Gatuzon, të cilin e këshillon që të mos ndikohet nga zërat për shkarkim. “Rino ndryshoi tendencën sapo mbërriti dhe Milani eci mirë nën urdhrat e tij. Me karakterin që ka nuk duhet t’i druhet konkurrencës, madje them se ka mjaftueshëm bo… për të mos u ndikuar”, tha Tasoti.

Në përfundim, 58-vjeçari bëri edhe një parashikim për ndeshjen e nesërme mes Napolit dhe Milanit. “Gatuzon dhe Ançelotin do t’i kapë e qeshura kur të hasen në stadium përpara ndeshjes, e cila do të jetë e bukur për t’u ndjekur. Unë do të mbështes Milanin, ndërsa gjatë sezonit do të jem edhe një tifoz i Napolit”, përfundoi Tasoti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"