Ish-mbrojtësi i Kombëtares hyn në garë: Jam gati të drejtoj Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2018 | 19:46

Ish-mbrojtësi i Kombëtares hyn në garë: Jam gati të drejtoj Vllazninë

Vllaznia duhet të shpejtojë për nisjen e punës për sezonin e ri dhe natyrisht që nuk duhet mbajtur shumë mendja te çështja e privatizimit. I këtij mendimi është ish-futbollisti i skuadrës shkodrane, Elvin Beqiri, i cili në një prononcim të tij shpjegon rëndësinë që ka privatizimi i klubit, por ndërkohë mendja nuk duhet mbajtur vetëm aty.

Beqiri Elvin

Beqiri thotë se planet për skuadrën e sezonit të ri duhet të fillojnë të bëhen shpejt, pavarësisht se deri para korrikut kjo gjë nuk do të ndodhë. Megjithatë, Vllaznia nuk duket e vonuar sepse kampionati nis në shtator dhe deri atëherë ka mjaftueshëm kohë në dispozicion për ta bërë gati skuadrën.

“Nuk është koha për të mbajtur mendjen tani te privatizimi. Kjo çështje duhet që t’i lihet tjetër kujt në dorë dhe drejtuesit tani duhet të nisin e të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Koha që kalon nuk është në favor të Vllaznisë. Duhet bërë gjithçka nga e para. Duhet plotësuar ekipi dhe për këtë nuk ka shumë kohë, pasi duhet që të gjenden lojtarët e duhur. Nuk është e thënë që skuadra të bëhet vetëm me këtë brumë që është në skuadër”, ka thënë Beqiri.

Kombetarja

TRAJNERI

Ditët e fundit kanë qarkulluar shumë emra trajnerësh, të cilët janë shprehur të gatshëm për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Një ndër ta është edhe emri i Beqirit. Ai në prononcimin e tij e lë të hapur një mundësi të tillë, por gjithnjë nëse ka një projekt serioz nga ana e drejtuesve të klubit. I pyetur për këtë, ai është shprehur: “Normalisht që është një dëshirë e të gjithëve ne dhe e imja që ta marr drejtimin e ekipit. Nëse do të më besohet, unë do ta pranoja me shumë dëshirë që ta drejtoja këtë skuadër.

Për mua nuk është shumë e rëndësishme nëse do jetë trajner shkodran apo jo. Ka shumë rëndësi që ai që të vihet në krye të këtij ekipi, të bëjë më të mirën dhe ta ndiejë përgjegjësinë e këtij posti. Nëse të besohet një gjë e tillë është jo vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Unë do ta merrja me shumë përgjegjësi, gjithmonë nëse ka një projekt serioz”, përfundoi prononcimin e tij ish-lojtari i Vllaznisë, Elvin Beqiri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"