Ish-mbrojtësi Bashkim Shameti: Do përsëritet historia, fitojmë 2-1 me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 22:50

Ish-mbrojtësi Bashkim Shameti: Do përsëritet historia, fitojmë 2-1 me Vllazninë

Bashkim Shameti, ish-futbollist i Luftëtarit në vitet 1973-1987, mbijetesën e bluzinjve e sheh vetëm te merkatoja e janarit. Pavarësisht pozitave momentale, ai vlerëson lojën e ekipit. 

bashkim shameti

Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi do të ndalej te rëndësia që ka përballja me Vllazninë, ndërsa u bën një apel edhe gjyqtarëve, që, sipas tij, e kanë parë Luftëtarin me një sy tjetër. “Nga ndeshjet me Vllazninë kujtoj me shumë nostalgji një fitore që kemi bërë në Gjirokastër me shifrat 2-1 në fund të viteve ‘80. Golin e fitores e kam shënuar unë me kokë. Shpresoj që historia të përsëritet, por mendoj se këtë herë rëndësi ka që Luftëtari të fitojë, qoftë edhe me një gjysmë goli”, ka thënë fillimisht ishmbrojtësi gjirokastrit.

BESIMI TE MBIJETESA 

Pavarësisht pozitës së Luftëtarit në klasifikim, Shameti është besimplotë se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të mbijetuar në Kategorinë Superiore.

partizani luftetari

“Pse të mos besojmë dhe shpresojmë te mbijetesa e Luftëtarit? Kur nga Vlora dëgjojmë se ka besim se Flamurtari mund të lërë dy skuadra poshtë në klasifikim, atëherë edhe ne kemi të drejtë të shpresojmë se kjo skuadër do t’ia dalë, duke parë edhe nivelin që ka kampionati. Shpresa vdes e fundit dhe fitorja e pritshme ndaj Vllaznisë shkurton diferencat në klasifikim dhe shton më shumë besim dhe optimizëm mes lojtarëve. Drejtuesit të mos humbin kohë për merkaton e janarit, por të piketojnë që tani lojtarë cilësorë, minimalisht katër.

Kemi dy portierë shumë të mirë, por një tjetër me më shumë përvojë do t’i duhej skuadrës. Gjithashtu, duhet patjetër një qendërmbrojtës, një mesfushor organizator dhe një sulmues goli. Me atë që kam parë, skuadrës i mungon qarkullimi i topit, kontrolli dhe dalja e shpejtë në krahë. Sa më shpejt të vendosen pikat mbi ‘i’ për merkaton, aq më mirë është. Në të kundërtën, faji mbetet jetim dhe asnjë s’e merr përsipër në fund”, deklaroi Shameti.

APELI PËR ARBITRAT

Në fund ish-futbollisti bëri një apel për arbitrat, pasi mendon se Luftëtari deri më tani ka qenë një nga ekipet më të penalizuara, veçanërisht në fazën e parë.

“Arbitrat na kanë parë me sy të keq. Nuk e di ku qëndron halli. Dy ndeshjet e fundit duket sikur e kanë kthyer pllakën. Shpresoj që edhe në ndeshjen me Vllazninë gjykimi të jetë korrekt. Është takim i rëndësishëm për objektivat e të dyja skuadrave dhe një arbitër i paanshëm i bën mirë ndeshjes”, përfundoi ish- mbrojtësi, i cili karrierën e nisi si sulmues krahu, por me kalimin e kohës u përshtat në mbrojtje nga trajneri legjendar, Hito Hitaj. Shameti është pjesë e atij brezi të artë lojtarësh që ishin pranë shpalljes kampion në sezonin 1977-1978.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"