Ish-lojtari i Vllaznisë pranon ofertën, gati posti i administratorit. Ja kush pritet të jetë trajneri i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2018 | 10:09

Ish-lojtari i Vllaznisë pranon ofertën, gati posti i administratorit. Ja kush pritet të jetë trajneri i ri

Pas datës 19 korrik, kur do të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, pritet që të marrë fund edhe pritja për nisjen e punës te Vllaznia. Nga sa mësohet, në këtë mbledhje pritet që të plotësohet bordi drejtues i klubit, ku mungon emri i 5- të. Pas dorëheqjes së anëtarit Mark Laloshi prej kohësh, vendi i mbetur bosh duhet të plotësohet dhe më pas i gjithë dokumentacioni do të kalojë në QKR për të kryer edhe regjistrimin përkatës. Burime të sigurta pranë Bashkisë së Shkodrës bëjnë të ditur se anëtari i ri i bordit që pritet të zgjidhet do të jetë Lazër Matia.

Presidenti i skuadrës shkodrane për femra ishte një nga më të përfolurit për të qenë administrator i klubit, por mesa duket, propozimi për Suad Licin ka bërë që Matia të japë kontributin e tij si anëtar bordi. Nga ana tjetër, mësohet se katër anëtarët e tjerë nuk pritet që të lëvizin nga bordi. Shpëtim Quku, i cili është edhe kryetari, së bashku me treshen Admir Teli, Benjamin Nako e Sytki Muça do të vazhdojnë të qëndrojnë. Plotësimi i bordit do t’u hapë rrugë më pas edhe zhvillimeve të tjera, caktimit të administratorit të ri dhe më pas edhe trajnerit.

suad lici

ADMINISTRATORI

Suad Lici pritet që t’u kthejë një përgjigje pozitive drejtuesve të klubit Vllaznia dhe bordit për të qenë ai administratori i ri i klubit të futbollit. Bordi ka nisur prej kohësh bisedimet me Suad Licin për të qenë ai administratori i ri, pas dorëheqjes së Astrit Gjyrezit. Bordi ka dalë në një konkluzion që këtë post t’ia propozojë ish-futbollistit të njohur shkodran, që momentalisht është edhe një biznesmen në qytetin verior. Vet numri një i klubit, kryebashkiakja Voltana Ademi, ka pasur dëshirë që ta ketë në staf ish-futbollistin e njohur. Mesa mësohet, tani edhe vet Lici është bindur për të marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe po ashtu një tjetër angazhim personal. Nga ana tyre, drejtuesit kanë marrë përsipër që t’i krijohen kushtet për të ndërtuar një skuadër kompetitive, në mënyrë që të mos diskutohet rikthimi në Superiore. Pritet që të enjten të zyrtarizohet Lici në postin e administratorit.

TRAJNERI

Elvis Kraja pritet që të jetë trajneri i ri i Vllaznisë. Nga sa bëhet e ditur, gjithçka tashmë është mbyllur që ai të vazhdojë të drejtojë skuadrën edhe në kampionatin e ardhshëm. Nga burime pranë kryebashkiakes Voltana Ademi, mësohet se Kraja është personi i përzgjedhur për këtë post. Ai ka drejtuar ekipin e Vllaznisë B në sezonin e shkuar dhe në dy takimet e fundit drejtoi edhe skuadrën e parë pas largimit të Ernest Gjokës. Sipas drejtuesve, ai ka të gjitha cilësitë e duhura që të jetë në krye të kësaj skuadre. Zyrtarizimi i Krajës në këtë post është çështje ditësh.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"